Stil

“Çanta” për çanta


Ajo nuk e ka veç në gjak artin. E ka në zemër.

“Kam studiuar violinë për afro 19 vjet dhe kjo ishte dëshira ime dhe e familjes time, të bëhesha violiniste profesioniste, por kjo nuk ndodhi”.

Kështu e ka nisur rrëfimin pasionant për Albanian Post, Loris Kecaj, shkodrania e cila jeton në Kanada.

Edhe pse Montreal-i e ndërpreu rrugëtimin drejt violinës, ai nuk mundi ta largonte Kecajn nga arti.

Duke eksploruar një sërë formash kontemporane, e reja gjen ngrohtësinë e tingujve të violinës te çantat e thurura.

Për këtë, ka edhe një shpjegim.

“Gjyshi im, Qerim Kecaj, ka qenë rrobaqepës. Ai u shërbeu klientëve të tij nga Malësia e Shkodrës.

Nuk është për t’u habitur që unë e trashëgoj këtë talent dhe që kjo influencë vazhdon të më frymëzojë”.

Kështu, Kecaj krijoi jo vetëm çanta, por edhe një markë që mban këtë emër, “Çanta”.

“Më pëlqen të hulumtoj etnografinë shqiptare. Prandaj Çanta do të mbetet një projekt unik që shpreh me fanatizëm artin e punimeve me dorë dhe lidhjen me trashëgiminë e paraardhësve të mi”, thotë ajo.

Po pse “Çanta” për çanta?

Kecaj rrëfen se përherë i ka pëlqyer produktet e bëra nga fijet prej leshi, ku mes tyre dallon çorapet e Shkodrës.

“Dy vjet më parë, unë fillova të vlerësoja me të vërtetë tekstilet tradicionale shqiptare. I admiroj motivet popullore, etnografinë e zgjedhur për të përfaqësuar vlerat e kaluara dhe vlerat e tanishme të jetës”, thotë ajo.

Ishte një vizitë në Shqipëri në vitin 2019, që i dha shtysë asaj të niste të mendonte për krijimin e çantave.

“Ishte një shitës atje në treg që shiste çanta dhe qilima tradicionalë. E bleva çantën sepse ishte më e lehtë për t’u transportuar përsëri në Kanada. E vesh shpesh”, tregon Kecaj.

Kështu që, nisi të mendonte mbi krijimin e çantave me rripa të ngjashëm me ato tradicionale shqiptare të bëra nga fijet e leshit.

“Por kjo ide u realizua vetëm pasi nëna ime më pa duke thurur një shall me fije të trashë dhe më pyeti se pse nuk e palosa atë për të shtuar një rrip dhe për ta shndërruar në një çantë”, tregon ajo.

Impulsivisht, kjo ishte ajo që bëri, madje e fiksuar pas kësaj. Vendosi që qëllimi i projektit të ishte krijimi i çantave me fije të trasha, shumëngjyrëshe dhe me teksturë.

“Kur fillova për herë të parë ‘Çanta-n’ bëhej fjalë për krijimin e çantave konceptuale, duke u përqendruar më shumë te forma, madhësia, ngjyra dhe struktura e çantave. Por të gjitha këto tipare u konsideruan vetëm në aspektin estetik”, thotë Kecaj.

Ajo vazhdon se “pasi eksperimentova me pesë çanta, vendosa të përqendrohem në mënyrën se si mund të krijohen çantat, në mënyrë që ato të jenë funksionale dhe jo thjesht estetike”.

E reja thekson se qëllimi i një çante është t’i mbajë gjërat. Prandaj dhe vendosi të krijonte një markë që t’i jepte mundësinë të krijonte çanta ndryshe çdo herë, të cilat të ishin edhe funksionale.

Për emrin që mban marka, ajo sqaron se i shkon përshtat dedikimit të saj, bërjes së çantave.

“Në Kanada, njerëzit me shumë gjasa nuk e dinë se çfarë do të thotë fjala çanta. Unë mund të zgjidhja fjalën torba, por ajo është me origjinë ballkanase dhe zgjodha pikërisht ‘Çanta’ se është e gjuhës shqipe”, tregon krijuesja.

Ajo shton se ky emër “përfaqëson origjinën e familjes time, me një përkushtim për të ruajtur trashëgiminë shqiptare. Dhe duke mësuar për veshjet tradicionale, kjo është mënyra se si emri formon etosin e projektit”.

Unike, shqiptare

“Jo vetëm që çdo çantë është unike, por gjithë frymëzimi vjen nga Shkodra”. Kështu thotë ajo, teksa tregon për të veçantën e markës së vet.

“E veçanta është se nuk dua të rikrijoj të njëjtin model dy herë. Ka shumë mënyra për të krijuar një çantë ndryshe nga forma, ngjyra dhe filli, kështu që nuk është e nevojshme që unë të krijoj të njëjtën çantë”, thotë Kecaj.

Sipas saj, jetojmë në një botë ku ka një mungesë të prodhimit të punimeve me dorë dhe ku përpiqemi të punojnë si një makinë ose një fabrikë që riprodhon çanta.

“Duart e mia janë të çmuara, çantat e mia krijohen falë tyre. E pse të humb kohën duke bërë të njëjtën çantë pa pushim. Nuk është as sfiduese. Mua më pëlqen të krijoj çanta, duke mos ditur saktësisht se si do të duken”, rrëfen ajo.

Për të, me rëndësi është edhe qëndrueshmëria ndaj asaj që bën.

“Ideja e çantave erdhi natyrshëm. Unë gjithmonë përdorja fije të trasha që janë metalike. Janë me shkëlqim. Ngjyrat e kësaj fijeje janë kryesisht prej argjendi, një blu e mprehtë, një e kuqe e guximshme, një vjollcë e thellë”, dallon Kecaj.

Por mes tyre ka edhe modele të tjera të bëra nga fije kaçurrele të fryra, tepër të buta. Ajo i cilëson këto çanta si argëtuese, sepse ndjesia që ato të japin, është unike. Dhe se nganjëherë nuk duket sikur mban një çantë.

“Kur i bëj çantat e përziera me fije të ndryshme, të gjitha këto janë pjesët e mbetura të fijeve. Ato shndërrohen në atë që ndihet si një odë ndaj copave të çantave. Ato janë duke iu referuar drejtpërdrejtë prodhimit paraprak. Dhe të gjitha këto janë elemente që tregojnë tiparet e identifikueshme të çantave”, thotë Kecaj.

Ajo thekson se “qëllimi im është të bëj çanta që janë një deklaratë. Unë dua që ato të jenë të mëdha, të ekzagjeruara, kështu që ato tërheqin vëmendjen e njerëzve”, thotë krijuesja.

Në brendësi të çantave

Mbi përmbajtjen e çantave, Kecaj dallon akrilikun, poliestrën, najlonin dhe përzierjet e fijeve të leshit. Madje, ky është edhe filli më interesant për të pasi është i trashë.

“Sa u përket stinëve, unë kam mësuar deri më tani se çantat më të trasha dhe të fryra që përmbajnë një përzierje leshi dhe akriliku dhe janë me ngjyra të errëta, janë më të përshtatshme për dimrin. Ndërsa fijet e fryra 100 për qind akrilike me ngjyra të ndritshme janë të shkëlqyera për verën”, tregon ajo.

Ndër të tjera, krijuesja e çantave thotë se marka e saj nuk synon ndonjë audiencë specifike.

“Unë shpresoj që njerëzit, të cilët blejnë çantat e mia, të mos kenë frikë të jenë të gjallë me stilin. Sidomos me çantat e mëdha dhe të fryra. Argëtimi për mua është se si i stilojnë njerëzit çantat kur i veshin në publik”, dallon ajo.

Nga ana tjetër, tregon se çantat e saj nuk janë të destinuara për një gjini, ose një moshë. Ato janë për këdo që dëshiron të ndihet mirë kur vesh një çantë dhe e bën atë një pjesë të pamjes së vet.

Ç’thotë tregu?

Kecaj rrëfen se “Çanta” ka qenë me të vërtetë mirë në nivel lokal dhe global.

“Unë kam shitur çanta në Australi, Francë, Japoni, Angli, për të përmendur disa. Të gjitha këto kanë qenë në internet përmes llogarisë në Instagram”, thotë ajo.

Kurse për lokalisht, ajo tregon se, për fat të mirë, gjatë gjithë realizimit të markës, ka pasur mundësinë të takoj gra të mahnitshme që gjithashtu po nisin bizneset e tyre dhe se ka qenë kënaqësi absolute të punonte së bashku me to.

“Pandemia ndryshoi mënyrën se si njerëzit blinin mallra në internet. Në rastin tim, njerëzit do të më dërgonin email apo email direkt për të blerë një çantë, e cila ishte emocionuese sepse unë kisha mundësinë të krijoja një lidhje me personin që blinte një çantë”, shpjegon ajo.

Përmes një periudhe të komunikimit në internet, ajo ishte në gjendje të lidhej me ta.

“Kam pasur një përmbledhje të shkurtër të botës së tyre bazuar në faktin se ata më besuan mua dhe blenë një çantë. Mbaj mend çdo çantë që kam bërë dhe mbaj mend çdo person që i kam dërguar një çantë”, tregon Kecaj.

Madje, shton se:

“Unë kam qenë në gjendje t’u jap njerëzve çantat dhe t’i shikoj ata duke prekur çantën për herë të parë.

Sa herë që lëshoj aksione në dy dyqanet në Montreal që shesin çantat e mia, ndjehem mirë kur i shoh në dyqan. Dhe më pëlqen të dëgjoj kur çanta shitet.

Është emocionuese për mua sepse jo vetëm që është inkurajuese që dyqani po shkon mirë, por sepse unë ngazëllehem kur mendoj se çfarë modeli çantash duhet të bëj për stokun e ardhshëm.

Nuk mund as ta besoj kur shoh shumë njerëz që ecin nëpër qytet me çantat e mia ose kur njerëzit më thonë se shohin njerëz që veshin çantat e mia.

Më pëlqen ta dëgjoj këtë.”

E ardhmja është…

Kecaj beson fort se “Çanta” do të rritet me siguri.

“Ka kaluar vetëm një vit e gjysmë që ky projekt ekziston dhe ai do të lulëzojë në shumë mënyra. Dhe shpresoj që vitin tjetër të hap një ekspozite një javore në Shkodër në dyqanin tonë familjar”, zbulon ajo.

Gjithashtu “po punoj  për një koleksion vjeshtë / dimër 2021 ku do të bëj fustane, funde dhe këpucë të thurura. Shpresoj t’i kaloj pushimet verore në Shkodër dhe të kaloj kohë me banorët e zonës malore për të mësuar teknikat tradicionale të thurjes”.

Për Kecajn, kjo është e rëndësishme, sepse do ta ndihmonte të njihej nga afër me etnografinë e malësisë së Shkodrës dhe traditave të atjeshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore