Shqipëria

Çanta luksoze ryshfet dhe diploma 10 mijë euro – Dalin detajet e reja nga mbyllja e Kolegjit Wisdom


Ka marrë përmasa të tjera zbulimi i kryer nga Guardia di Finanza në Itali, ku Kolegji Wisdom është parë si pjesë e një rrjeti të sofistikuar të falsifikimit të diplomave dhe shitjes së tyre me shuma të mëdha parash, deri në 10 mijë euro.

Këto hetime kanë çuar edhe në mbylljen e Kolegjit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit më 17 shtator, por detaje të reja nga përtej Adriatikut kanë filluar të dalin në sipërfaqe dhe të lagin kureshtjen e opinionit publik.

Vetë Ministria, argumentoi se “ka nisur prej vitit 2022 dhe në vijim, procesin periodik të verifikimit të kontrollit të pajtueshmërisë së veprimtarisë të gjithë institucioneve të arsimit të lartë”.

Ministria e Arsimit mbyll kolegjin “Wisdom”: Kemi kryer kontrolle, vendimin e morëm në korrik

Zbulimet e Guardia di Finanza gjithsesi, reflektojnë një skemë të tillë, ku diplomat shiteshin me shuma nga 7 deri në 10 mijë euro dhe të përfshirë në këtë skemë kanë qenë edhe zyrtarë të lartë të Ministrisë.

Sipas mediave italiane, të cilat i referohen hetimit, pjesë e skemës është edhe një zyrtare e institucioneve në Shqipëri, e cila ka favorizuar pronarët e Kolegjin Wisdom, Savino Cianci dhe Lucia Catalano.

Në dosje madje bie në sy fakti se një zyrtareje, i është dhënë si dhuratë një çantë e shtrenjtë “Louis Vuitton”, me vlerë deri në 1 mijë e 200 euro.

Diplomat false, Guardia di Finanza zbulon skemën e universitetit privat në Shqipëri

Për këtë, dyshohet se e përfolura është Kryetarja e Bordit të Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Shqiponja Telhaj.

Vetë kjo e fundit ka reaguar pas deklaratave në mediat italiane, përmes një reagimi në Facebook.

“Shqiponja (Aquila) Telhaj nuk ka pirë kurrë as edhe një kafe e nuk ka pranuar kurrë asnjë dhuratë nga asnjë përfaqësues i universiteteve te huaj apo shqiptare. Pres që autoritetet zyrtare dhe mediat që kanë përmendur emrin tim pa asnjë fakt në lidhje me dosjen e universitetit Wisdom (përfaqësuesit e te cilit nuk i kam njohur ndonjëherë) të kërkojnë falje për shpifjet”, ka shkruar Telhaj.

Me këtë situatë të paqartë, ajo çfarë është tërësisht e qartë, mbetet fakti se sot kemi disa të arrestuar për çështjen dhe në Shqipëri, një institucion të arsimit të lartë të mbyllur tashmë, me vendim ministrie.

Të tjerat, mbeten për t’u zbuluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore