Jetesë & Stil

Camila Cabello, pjesë e filmit “Cinderella”


Këngëtarja e njohur, Camila Cabello, ka zbuluar për publikun trailerin e filmit “Cinderella”, ku do të jetë protagoniste.

Edhe pse historia e Hirushes njihet nga të gjithë tashmë, kësaj here filmi do të vijë me disa risi.

Në këtë përshtatje të përrallës për fëmijë, Hirushja është një rrobaqepëse. Ajo nuk mund të shkojë në ballon e princit, rol i luajtur nga aktori Nicholas Galitzine, derisa “zana e saj”, e luajtur nga Billy Porter, e lejon të hyjë brenda në festë.

Në këtë film të ri nuk mungojnë muzika, shkëlqimi, humori dhe magjia.

Camila shkroi dhe ndjesitë e saj në të qenit pjesë e këtij filmi në llogarinë e saj në “Twitter”.

“Kjo ishte një nga eksperiencat më magjike të jetës sime. Mezi po pres që ta shihni”.

Në një intervistë për revistën “Variety” në vitin 2019, ajo u shpreh për momentin që iu ofrua ky rol: “Ishte një nga ato gjërat që ndjeva sikur e Zoti e solli me dorë tek unë. Thjesht nuk mund të thosha jo. Është një ëndërr për mua”.

Edhe njerëzit duken mjaft të entuziazmuar për filmin e ri. Në komentet në “YouTube”, pjesa më e madhe e tyre thonë se mezi presin filmin dhe përgëzojnë Camila-n për këtë rrugë të re drejt aktrimit.

Filmi “Cinderella” do të shfaqet në platformën “Amazon Prime” më 3 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore