Kosova

Caktohet paneli i Apelit për rishqyrtimin e dënimit të Mustafës


Salih Mustafa

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), kanë caktuar panelin e gjyqtarëve të apelit që do të trajtojnë çështjen për anulimin e vendimit të dënimit të Salih Mustafës me burgim prej 22 viteve.

Vendimi është bërë i ditur nga njoftimi i lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).

“Më 31 korrik 2024, Presidentja Trendafilova caktoi gjyqtarin Michèle Picard, gjyqtarin Kai Ambos dhe gjyqtaren Nina Jorgensen në Kolegjin e Gjykatës së Apelit për caktimin e ri të dënimit të Mustafës në përputhje me Vendimin mbi Kërkesën e Mustafës për Mbrojtjen e Ligjshmërisë,” thuhet në njoftim.

Më 30 korrik, paneli i Gjykatës Supreme kishte marrë vendim që ta shqyrtojë rastin e Sali Mustafës i cili nga Gjykata Speciale ishte dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte.

Caktimi i gjyqtarëve të Apelit për çështjen e Mustafës

“Paneli i Gjykatës Supreme e miratoi pjesërisht kërkesën e tij dhe anuloi pjesën e aktgjykimit të apelit që ka të bëjë me dënimin e z. Mustafa me 22 vjet burg. Paneli i Gjykatës Supreme ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit në përputhje me rregullën 194(1)(b) të Rregullores, për të shqyrtuar uljen e dënimit bazuar në arsyetimin e paraqitur në vendimin e Panelit të Gjykatës Supreme”, thuhej në njoftim.

Më 14 dhjetor të vitit të kaluar nga 26 në 22 vjet burgim i ishte zvogëluar dënimi nga Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuar të Kosovës, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky vendim i Apelit erdhi pasi “Komandat Cali” ishte dënuar nga shkalla e parë e Speciales me 26 vjet burgim për “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme të shqiptarëve”.

Këto krime dyshohet se ishin kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999, derisa aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”, thuhet në aktakuzë.

Gjithashtu, në aktakuzë theksohej se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Por, gjykata nuk tregon se kush është personi i vrarë.

Në anën tjetër, Mustafa, i pyetur se si deklarohet për akuzat, kishte thënën “i pafajshëm në të gjitha pikat që mi ngarkon kjo Zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore