Lajme

Caktimi i marzhës së fitimit për produkte bazë nga Qeveria – bie ndesh me parimet kushtetuese


Ilustrim

Në seancën e Kuvendit të Kosovës të 30 qershorit, grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka propozuar inicimin e projektligjit për caktimin e marzhës së fitimit për produkte bazë.

Por, për njohësit e çështjeve ekonomike ky propozim i ligjvënësve të pozitës nuk trajton inflacionin, por edhe bie ndesh me parimet kushtetuese.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë për Albanian Post se janë dy probleme themelore, të cilat i ka propozimi i deputetëve të LV-së.

“Problemi qenkan disa ‘profitera’ që po fitojnë në kurriz të qytetarëve. Do të thotë, po kërkohet të gjendet një fajtor i brendshëm, tek i cili qytetari e lyp përgjegjësinë. Kjo është gabim. Paragjykimet për sektorin privat janë të padrejta”, tha Rukiqi.

Berat Rukiqi

Madje, sipas tij, krejt kjo rritje ekonomike për të cilin po krenohet Qeveria, vjen nga sektori privat, duke shtuar se  “Qeveria duhet të pranoj që ka krizë, të merret aktivisht me krizën dhe nëse ka çrregullime në treg, t’i luftoj ato, por jo duke e kufizuar tregun, jo duke i demonizuar të gjithë akterët ne treg, gjë që mund të përfundoj me mbytje të tregut dhe kthim në një sistem të ekonomisë të centralizuar”.

“Kosova, në Kushtetutë, definohet qartë si ekonomi e lirë e tregut. Çdo ndërhyrje në parimet dhe rregullat bazë të ekonomisë se lirë të tregut, sidomos duke tentuar me ligje dhe ua rregulloj pjesë të tregut apo tregu në tërësi dhe të kufizohet konkurrenca në treg, bie ndesh me parimet bazë kushtetuese”, shtoi ai.

Bega: Propozime të tilla nuk e trajtojnë inflacionin në mënyrë të plotë

Ndërkaq njohësi i çështjeve ekonomike, Erton Bega, thekson se Qeveria së pari duhet t’ia kufizoj vetës të hyrat, e pastaj përmes ligjit mund të kufizoj të hyrat e akterëve tjerë duke përfshi edhe bizneset për një periudhë të caktuar kohore.

“Propozimet e tilla nuk trajtojnë inflacionin në mënyrë të plotë dhe të drejtë, pasi që jemi në situatën ku qytetarit i është kufizuar buxheti familjar si pasojë e inflacionit, biznesit po i kufizohen të hyrat nga Qeveria, e në anën tjetër vet qeveria po përfiton nga kjo situatë duke u krenuar me rritjen inflacionare të buxhetit”, pohoi Bega për AP.

“Masa fiskale, zbritje për një shkallë të normës tatimore të TVSH-së në bukë, miell, sheqer, vaj, qumësht, mish, naftë, benzinën dhe rrymë. Nga 18% në 8% ose nga 8% në 0%, varësisht nga norma ekzistuese e TVSH-së”.

Bega, konsideron se përcaktim të tavanit të marzhave ose çmimeve tavan për periudhën tre mujore do duhet të bëhet përmes ligjit të posaçëm që kufizon liritë ekonomike.

Erton Bega

“Në këtë formë shteti, biznesi dhe qytetari do të ndanin bashkërisht koston e inflacionit.

Qeveria para se t’i luftoj spekulantët në biznese, duhet të ndaloj spekulimet e veta për rritje inflacionare të buxhetit sepse nuk mund t’i luftosh spekulantët deri sa vet sillet si spekulante”.

Këtë ide të deputetëve të LV-së e ka kritikuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kreu i LDK-së – ka potencuar se tregu i rregulluar është vetëm në Koren Veriore.

“Mund të rregullosh me ligj një industri nëse mendon që mund ta bësh. Por, të propozosh që çdo produkt si sheqeri, uji, buka, mielli dhe vaji, ta rregullosh, kësaj i thonë ekonomi e komanduar, ka një ekonomi sot në botë, i thonë Kore Veriore”, tha Abdixhiku të enjten e 30 qershorit në Klan Kosova.

Të enjten – Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar rezolutën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për ngritjen e çmimeve të produkteve.

Pro miratimit të rezolutës votuan vetëm 24 deputetë opozitarë, ndërsa kundër ishin 47 deputetët e mazhorancës.

Gjatë seancës ka pasur debate të ashpra mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Seanca e Kuvendit u mbajt me kërkesë të opozitës, për t’u diskutuar heqja e mundshme e akcizës dhe TVSH-së për naftën, meqë opozita e cilëson si lëndë të parë për shumë produkte të tjera dhe kështu ndikon në rritjen e çmimit të shumë produkteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore