Gjykata Speciale

Bytyqi në Speciale nis të flasë për masakrat në Kosovë të kryera nga Serbia, ndërpritet nga prokurori  


Gazetari Nuhi Bytyqi.

Gazetari Nuhi Bytyqi, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), teksa është pyetur për të dhënë vlerësim për sulmin që kishte ndodhur në Bardhë të Madh dhe Rahovec, ka nisur tregojë për masakrat që ishin kryer nga Serbia në Kosovë.

Por, gjatë fillimit të përshkrimit të këtyre masakrave dhe vrasjeve që kishin ndodhur nga forcat serbe, prokurori Matt Halling e ka ndërprerë atë.

“Siç dihet i tërë regjimi serb ka bërë pothuajse 400 masakra mbi popullatën civile në mbarë Kosovën, duke vrarë mbi 10 mijë civilë shqiptarë”, ishte deklarata e Bytyqit, teksa prokurori Hallin e ndërpreu duke i thënë se “pyetja e tij ishte më e fokusuar në një pjesë tjetër”.

Pjesë nga intervistimi i gazetarit Nuhi Bytyqi:

Matt Halling: Në këtë faqe Jakup Krasniqi, ka shkruar si në vijim “Bislim Zyrapi, bëri një vlerësim të Bardhit të Madh, për të dhënë vlerësim për sulmin në Bardhë të Madh dhe Rahovec dhe në të dy rastet është thënë që të mos ju hyn këtyre aksioneve se akoma nuk ishin bërë përgatitjet e duhura”.

Ju personalisht keni ndonjë dijeni për ngjarjet që ka përshkruar Jakup Krasniqi në Bardhin e Madh?

Naser Bytyqi: Kjo është analizë e tij dhe unë nuk kam qenë pjesë e shtabit të përgjithshëm, por si gazetar jam informuar që UÇK-ja ka hyrë në minierën e thëngjillit në Bardhin e Madh dhe ka marrë nën kontroll.

Zotëri Thaçi dhe zotëri Veseli, s’kanë marrë pjesë në luftimet që kanë ndodhur në këtë pjesë, por ne kemi shkuar bashkë me ekipin televiziv për të xhiruar gjendjen në të cilën ishte kjo pjesë. Ky ishte qëllimi kryesor i vizitës sonë bashkë me zotërin Thaçi dhe Veseli, vetëm për të bërë gjendjen atje, për t’i transmetuar edhe mediat botërore.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka pasur vullnet të plotë për të luftuar çlirimin e Kosovës, mirëpo në atë periudhë raporti i forcave midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushtrisë dhe policisë serbe s’ka qenë i favorshëm sepse siç dihet ushtria dhe policia serbe kanë pasur një potencial të jashtëzakonshëm të armatimit dhe i tërë aparati shtetërorë serb është fokusuar për të luftuar jo vetëm kundër ushtrisë çlirimtare të Kosovës, por edhe kundër popullatës civile.

Siç dihet i tërë regjimi serb ka bërë mëse 400 masakra mbi popullatën civile në mbarë Kosovën, duke vrarë mbi 10 mijë civilë shqiptarë.

Matt Halling: Dëshmitar pyetja ime ishte më e fokusuar a keni ndonjë arsye të kontestoni këtë që e ka shkruar Jakup Krasniqi në paragrafin që ju lexova?

Naser Bytyqi: Jo, as nuk po e kontestojë sepse këto janë opinione të tij dhe desha të them se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, s’ka pasur potencial të mjaftueshëm në atë periudhë për të mbajtur në kontroll të Bardhit të Madhe dhe Rahovecit.

Matt Halling: Dëshmitar, ju folët edhe për interesat e mediave ndërkombëtare në këtë ngjarje, deri në çmasë është raportuar që UÇK-ja kishte marrë nën kontroll Bardhin e Madh?

Naser Bytyqi: Ne kemi bashkëpunuar me kolegët tonë nga mediat botërore dhe disa imazhe ua kemi dhënë kolegëve tanë për të bashkëpunuar dhe për t’i transmetuar në mediat botërore sepse donim të krijonim imazh real për të gjithë atë që po ndodhte në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore