Gjykata Speciale

Bytyqi në ditën e tretë të dëshmisë në Speciale: Libri im s’duhet të shërbejë për të akuzuar ish udhëheqësit e UÇK-së


Gazetari Nuhi Bytyqi.

Gazetari Nuhi Bytyqi në ditën e tretë të dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se në librin e tij “Libri i luftës”, ka dashur që anëtarët UÇK-së t’i afirmojë pak më lartë sesa që duhet.

Por, që asnjëherë se ka llogaritur që ky libër do t’i shërbejë Prokurorisë dhe Gjykatës për t’i akuzuar ish-drejtuesit e UÇK-së.

“Ky libër është botuar pas luftës dhe jam përpjekur që ta prezantoj në mënyrë sa më origjinale punën time si gazetar dhe t’i paraqes pikëpamjet e mia për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si i kam pa këta djem të ri dhe vashat e reja vullnetarë dhe jam munduar ta afirmoj pak më tepër sesa duhet dhe nuk kam llogaritë që libri do të shërbejë këtu para Prokurorisë dhe kësaj Gjykate për t’i akuzuar ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Bytyqi.

Sipas tij, libri është publicistik dhe bën përpjekje që vlerat e UÇK-së t’i lartësojë.

“Jam munduar që vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës t’i ngris sa më lartë dhe të gjithë luftëtarët e UÇK-së t’i ngris në nivelin e duhur sepse ne nuk mund të themi se s’ka pas luftë, s’ka pas UÇK”.

“Ka pas luftë, ka pas UÇK dhe falë sakrificës së luftëtarëve të lirisë, falë sakrificës së popullit, falë sakrificës së dëshmorëve të lirisë dhe falë ndihmës së NATO-s, Kosova është çliruar dhe sot është shtet i pavarur edhe për këtë punë unë e ndjej vetën krenar që kam arritur sa do pak të kontribuoj në informimin e opinionit për këtë”, ka deklaruar ai.

Bytyqi, mohoi se ka marrë pjesë në ndonjë prej takimeve të shtabit të përgjithshëm.

“E di që aty ka pas hierarki dhe çdo komandant ka pas ushtarët e vet, përgjegjësinë e vet. Kurse, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si ushtri vullnetare që ka lind nga populli me një vullnet të jashtëzakonshëm nuk ka pas hierarki. Ashtu e kam kuptuar, atëherë dhe deri më sot ashtu mendoj që ka qenë”, tha Bytyçi.

Bytyqi është dëshmitari i 71-të që po dëshmon në rastin e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore