Shqipëria

Bylykbashi: Sot depozitojmë padi në SPAK për aferën 12.5 milionë euro të Eko-Parkut në Durrës


Oerd Bykykbashi, nënkryetari i Rithemelimit, ka bërë me dije se këtë të premte të 15 marsit do të dorëzohet në Prokurorinë e Posaçme SPAK një padi në lidhje me Eko-Parkun në qytetin e Durrësit.

Aferën prej 12.5 milionë euro të këtij Eko-Parku, ai e ka cilësuar një “bijë” të megaskandalit të inceneratorëve.

“Eko-Parku është një projekt korruptiv në qytetin e Durrësit, që mjafton që SPAK pa vonesë të ndërhyjë dhe të vërë para drejtësisë nivelet më të larta duke shkuar deri te Edi Rama. Ky është një skandal, që është bijë e mega-skandalit korruptiv të inceneratorit”, ka thënë ai.

Sipas Bykykbashit, ai është i lidhur drejtpërdrejtë me të në të gjitha aspektet.

“Jo vetëm në interesat korruptive, jo vetëm për faktin që e gjitha është konceptuar në lidhje organike me skandalin e inceneratorit të Tiranës, që nuk ekziston. Pra mbetjet e Durrësit, ajo plagë e madhe mjedisore, sipas këtij projekti, do dërgoheshin në mënyrë korruptive në një incenerator që nuk ekziston”, ka shtuar ai.

E gjitha kjo, sipas tij, është për të çuar para të njëjtët persona që janë nën hetim për aferën e inceneratorit.

“Emri që del fare qartë është ai i Klodian Zotos. Pra e gjitha në të njëjtin koncept. Që të arrihet në këtë aferë korruptive, duhet patjetër të ekzistojë jo vetëm një qëllim i strukturuar nga Edi Rama për të zhvatur paranë publike”, ka thënë ai.

Bykykbashi ka thënë po ashtu se këto para përfundojnë në xhepat e Ramës, ministrave, drejtorëve të tij dhe ortakëve në biznes të tij.

“Ne sot do ju prezantojmë me faktin që PD, përveçse do dëshmojë me fakte të pakontestueshme këtë aferë, ne kemi bërë gati kallëzimin penal që do depozitohet në SPAK po sot për këtë aferë. Ky është një simbol tjetër i politikës së hienave, ku grabisin paratë në ditën për diell pa pyetur fare, aq më keq duke shfrytëzuar situata të vështira, aq më tepër tragjedi”.

Eko-Parku, për nënkryetarin e Rithemelimit, është një projekt që bëri të pamundur zhvillimin e ndonjë projekti për trajtimin e mbetjeve urbane në Durrës që do ishte më i lirë, me më pak dëm për xhepat e qytetarëve dhe ambientin, dhe në çdo rast do të ishte i vërtetë.

“Bashkia e Durrësit nuk kishte para t’i transportonte as në zona brenda bashkisë, por më pas u gjetën paratë për t’i transportuar mbetjet e qytetit të Durrësit në inceneratorin inekzistent të Tiranës. Durrsakët paguajnë më shumë se banorët e Tiranës për këtë operacion. Jo vetëm të njëjtën tarifë, por edhe kanë shtesë edhe koston e transportit”.

Të gjitha këto, mbasi krijuan bindjen se ishte e domosdoshme për ta bërë këtë, u vunë në dispozicion 19 milionë euro. U prish e gjithë procedura e tenderimit për t’u bërë një negocim pa shpallje dhe për ta marrë përsëri Klodian Zoto, nëpërmjet një kompanie të ngritur përmes shoferit të tij.

“Nga 19 milionë euro që u tenderuan, u nënkontraktua më pas për 6.5 milionë euro. Pra, rreth 12.5 milionë euro shkuan në xhepat e atyre që arkitektuan këtë aferë korruptive. Ne duhet të vëmë para përgjegjësi SPAK-un që ta hetojë këtë aferë, të mos e lërë në sirtar dhe personat përgjegjës të shkojnë para drejtësisë”, ka vijuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore