Kosova

Burime nga Prokuroria Speciale: Pothuajse të gjithë terroristët e 24 shtatorit janë identifikuar – për hetime shtesë nevojitet ndihma ndërkombëtare


Foto: Albanian Post.

Shumica e terroristëve që sulmuan Kosovën me 24 shtator kur u futën nga Serbia në Banjë të Zveçanit janë identifikuar, ka thënë një burim nga Prokuroria Speciale për Albanian Post.

“Po, shumica prej tyre janë identifikuar”, tha burimi, derisa konfirmoi se hetimi akoma po vazhdon dhe nuk është përmbyllur për dosje përfundimtare, përkundër se ka kaluar më shumë se një muaj nga sulmi.

“Ne jemi duke vazhduar çdo ditë hetimin për këtë rast dhe identifikimin e personave që kanë marrë pjesë në sulmin terrorist, përmes gjurmëve që janë lënë aty. Çdo ditë po dalin persona të rijnë që janë përfshirë aty”, ka thënë burimi i Prokurorisë për Albanian Post.

Kurse në një përgjigje për Albanian Post nga Policia e Kosovës është thënë se përveç konfiskimeve dhe atyre që janë paraqitur në konferenca për shtyp, për momentin s’ka ndonjë informacion të ri.

“Referuar ngjarjes në Banjë të datës 24 shtator, Policia e Kosovës përmes komunikatave zyrtare te PK-së, përmes komunikatave të përbashkëta me PSRK-në, konferencave për shtyp ku janë ekspozuar dëshmitë e konfiskuara si dhe deklarimeve nga kompetentet në DRP-Mitrovicë Veri, i ka bëre publike informacionet zyrtare te cilave mund t’iu referoheni”, është thënë nga policia.

Policia e Kosovës në Banjë.

Përkundër punës së organeve të Kosovës, ekspertët e sigurisë thonë se për të dalë me të dhëna të plota dhe të detajuara për rastin e Banjës, duhet të përfshihen edhe institucione ndërkombëtare në hetim.

Përkundër dëshirës që të përfshihen institucione ndërkombëtare ne hetime, nga ajo çfarë është deklaruar nga akterë të ndryshëm, nuk duket të ketë një vullnet politik për të proceduar me një hetim përtej institucioneve të Kosovës.

Ish-gjenerali i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, në një bisedë për Albanian Post, përveç kritikave për mungesën e këtij vullneti politik, është shprehur i pakënaqur edhe me deklaratën e Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se sulmi u organizua nga një grup që quhet “klani i Novi Sadit”.

“Unë sipas informatave dhe sipas studimeve që kam bërë s’ka të bëjë këtu me një klan të një pjesë të Serbisë, por është komplet brumë i Serbisë atje. I presidentit, i shtetit të inteligjencës dhe ushtrisë. Këta njerëz janë të përgatitur dhe të dirigjuar nga vetë shteti i Serbisë”, thotë Kastrati për AP.

Bashkimi Evropian.

Sipas tij, edhe arsenali i armëve që është konfiskuar tregon përfshirjen e Serbisë në këtë rast.

Ndërsa, pohon se konfiskimi i armeve është rezultati më i arritur i hetimeve të deritashme.

“Armët që janë gjetur tregojnë qartë se janë armë të Serbisë dhe se nuk ka qenë vetëm një rast i izoluar, por po duket që ata e kanë pasur mirë të planifikuar që të organizojnë një lloj kryengritje. Kjo ka qenë e gjithë ajo që është zbuluar deri tani dhe të mos harrojmë një gjë interesant që e gjitha kjo ka qenë mirë e planifikuar edhe në qendrën e inteligjencës ruse në Nish”.

Ai deklaron se institucionet e Kosovës, momentalisht s’janë në situatë që të vazhdojnë hetimet, pasi duhet të përfshihen edhe ndërkombëtaret.

“Nuk jemi në pozicion dhe nuk jemi në situatë që të bëjmë hetime tutje”, thotë Kastrati.

“Por, unë mendoj që Bashkimi Evropian nuk ka vullnet politik që ta bëjë një grup ndërkombëtar për të hetuar rastin saktë dhe vetëm atëherë ne do të kemi një hetim të mirëfilltë dhe të detajuar dhe vetëm atëherë mund të kuptojmë qëllimet e Serbisë dhe implementimin se si kanë menduar ata që ta bëjnë këtë operacion”.

Kastrati, paralajmëron se do të ketë edhe sulme të tjera përmes grupeve të vogla terroriste.

“Serbia nuk ndalet me atë çka ka ndodh me 24 shtator, por edhe nuk pres që të hynë me grupe të mëdha, por me grupe të vogla Serbia mund të hyjë dhe ta dëmtojë policinë jo vetëm në Veri, por edhe në Jug, prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm”.

Kërkesë e tij është që institucionet e Kosovës të vazhdojnë të kontrollojnë kishat edhe në pjesën jugore, pasi që mund të ketë armatim.

“Kam informacionet e mija që edhe në kishat në Deçan, në Pejë ka armatime të cilat ata i kanë pasur të grumbulluara në atë kohë. Është përfolur që kishat janë duke përkrahur grupet terroriste të Serbisë, mund t’i kenë larguar por duhet vëzhguar edhe kishat nga institucionet, pasi që aty mund të jetë edhe një çerdhe e armatimit”.

“Hetimet e Kosovës në përputhje me kodet penale”

Për profesorin dhe ekspertin e sigurisë, Fatmir Çollaku, në bazë të hetimeve, ajo që është e qartë deri tani është që Serbia ka synuar aneksimin e Veriut të Kosovës.

“Hetimet kanë nxjerrur në sipërfaqe që Serbia qëndron prapa këtij sulmi terrorist. Mbështetja nga Serbia ishte në çdo aspekt, përfshirë edhe në atë logjistikë”, thotë Çollaku për Albanian Post.

Manastiri i Banjës.

Kush u arrestua për sulmin terrorist nga institucionet e Kosovës?

Më 24 tetor, pikërisht kur u shënua një muaj nga ky sulm terrorist, Prokuroria Speciale mori vendim që Dushan Maksimoviçit, Vladimir Toliçit dhe Blagoje Spasojeviçit, të cilët dyshohen për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, t’u vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, të martën.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T., B.S. dhe D.M., iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, ka thënë Gashi për AP.

Tre të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjë, gjendën në masën e paraburgimit që nga 26 shtatori i këtij viti.

Më 27 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se kanë liruar nga arrestimi katër persona të cilit ishin të dyshuar po ashtu sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjë të Zveçanit.

Sipas njoftimin të Prokurorisë, këta persona ishin liruar pasi që nuk pati prova të mjaftueshme për përfshirjen e tyre në këtë rast.

Arrestimi i serbëve për sulmin terrorist në Banjë nga institucionet e Kosovës.

Çka kishte ndodhur me 24 shtator në Banjë të Zveçanit?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Lidhur me sulmet terroriste, organet e rendit kanë sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan nga Policia pas sulmit, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milion euro.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

“Ka sasi edhe më të mëdha” – S’i u fut gjithë ai arsenal i madh armësh në Kosovë dhe përse nuk u hetua as nga KFOR-i as nga Policia?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore