Lajme

Burgim të përjetshëm për të akuzuarit e rastit “Monstra” në Maqedoninë Veriore


Gjykata Penale e Shkupit në Maqedoninë Veriore, ka dënuar me burgim të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve, më 12 prill 2012, pranë liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi në rastin që njihet si “Monstra”.

Dy të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim. Sami Luta është liruar nga akuza në mungesë të provave.

Të dënuarit më burgim të përjetshëm, Ali Demiri dhe Afrim Ismailoviq, janë dënuar në mungesë, ndërsa prokurorja e rastit Fatime Fetai u shpreh se të njëjtit ndodhen në Kosovë, prej nga edhe duhet të ekstradohen për vuajtjen e dënimit.

Viktimat ishin katër të rinj të moshës prej 18 deri 20 vjeç dhe një tjetër i moshës 44-vjeçare. Trupat e tyre të pajetë ishin gjetur rreth orës 22: 30 të 12 prillit nga disa persona që po peshkonin në liqenin artificial.

Ky akt kishte nxitur më pas pakënaqësi e protesta të shumta që ishin përshkallëzuar në dhunë rrugëve të Shkupit nga banorët lokalë të komunitetit maqedonas, të cilit kishin sulmuar bashkëqytetarët e tyre.

Protesta janë organizuar edhe nga familjarët e shqiptarëve të akuzuar duke mohuar që këtë vepër të rëndë ta kenë bërë të afërmit e tyre, ndërsa edhe tani pretendojnë se rasti është i kurdisur nga shërbime sekrete për qëllime të klasës politike që ishte në atë kohë në pushtet.

Kryeministri i tanishëm i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, si drejtues i atëhershëm i opozitës, kishte publikuar aferën e përgjimeve dhe disa herë kishte deklaruar se ka dëgjuar biseda telefonike që hedhin dyshimet mbi gjithë rastin.

Por, bisedimet e tilla ende nuk kanë nxjerrë dëshmi mbi këtë rast.

Përveç dëshmitarëve të shumtë si nga pala e të akuzuarve, ashtu edhe nga ajo e prokurorisë dhe familjarëve të viktimave, në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar dhe lexuar edhe afër 38 mijë biseda telefonike dhe mesazhe.

Në disa prej tyre ka dyshime mbi vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë, përfshirë edhe ato që akti të jetë kryer jo nga këta persona të thjeshtë, por nga profesionistë të shërbimeve të caktuara për destabilizim të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore