Kampionate

Bundesliga: Hap fals nga Leipzig dhe Frankfurt


Bundesliga gjermane ka përfunduar tre ndeshjet e para të orës 15:30 të kësaj të shtune. Leipzig dhe Eintracht Frankfurt kanë bërë hap fals duke u ndalur në barazim, përkatësisht 2-2 dhe 1-1. Ndërsa, Hidenheim fitoi 2-1 ndaj Bremen-it.

“WWK Arena” pa një ndeshje të luftuar mes vendasve të Augsburg-ut dhe miqëve të Leipzig-ut. Me këta të fundit që do të humbisnin një 11 metërsh në minutat e fundit të takimit.

Phillip Tietz shënoi golin e parë për Augsburg-un, para se dueli të barazohej nga Lois Openda. Dhe, me barazimin 1-1 do të mbyllej pjesa e parë.

Benjamin Sesko do të kalonte Leipzig-un në avantazh në fillimin e pjesës së dytë, por Ermedin Demirovic do të barazonte pak minuta më vonë.

Në minutën e 81, Leipzig do të fitonte 11 metërsh, por Openda nuk do të tregohej i saktë nga pika e bardhë. Sigurisht merita i shkon edhe portierit vendas, Finn Dahmen që e priti penalltinë.

Në takimin tjetër, Frankfurt-i ngeci në shtëpi përballë Bochum-it.

Omar Marmoush shënoi në minutën e 14 duke kaluar në avantazh vendasit. Por, avantazhi i Eintracht-it zgjati vetëm tre minuta sepse Moritz Broschinski do të barazonte shifrat në 1-1.

Heidenheim triumfoi falë golave të Lennard Maloney dhe Jan-Niklas Beste. Romano Schmid shënoi për Bremen-in.

Aktualisht në Bundesliga po zhvillohen takimet: Union Berlin 1-0 Wolfsburg dhe Borussia Monchengladbach 0-0 Darmstadt.

Super sfida e ditës në Bundesliga do të zhvillohet duke filluar nga ora 18:30 kur Bayer Leverkusen të presë në “BayArena” gjigandët e Bayern Munich-ut.

Renditja në Bundesliga

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore