Shqipëria

Bullizmi nuk duhet heshtur


Ai rri aty veçuar të tjerëve.

Ai është mes njerëzve, por prapë ndihet vetëm. Ai s’ka forcë të ngrejë zërin dhe të thërrasë: Stop, mjaft më bullizove!

Edhe unë jam si ty, ndoshta jo ti, por dikush që është pjesë e kësaj shoqërie dhe duhet të pranohet për atë që është.

Në fakt, siç tregon për Albanian Post mësuesja Marjeta Stenfallari, e cila prej vitesh jeton në qytetin skandinav, Malmo, bullizmi është një fenomen, i cili duhet të luftohet nga të dy krahët.

“Për shembull”, thotë ajo, “një mësues, i cili bullizon nxënësin/en dhe e etiketon me fjalët ‘budalla’, ‘idiot’, ‘i trashë’, ‘ti s’kupton’, rrezikon të humbasë vendin e punës”.

Po ashtu, nga ana tjetër, vijon mësuesja, edhe kolegët e saj duhet të tregohen të kujdesshëm në mënyrën sesi komunikojnë me njëri-tjetrin.

Pas rasteve të shtuara të bullizmit, një term i përdorur në Suedi që në 1968, “anketimet kanë luajtur një rol kryesor në parandalimin e bullizmit”.

“Si ne, mësuesve, ashtu edhe nxënësve, na shtrohen pyetje të tipit: A je ndier i/e bullizuar nga kolegët, shefi/ja, shokët/shoqet e klasës?”

Në këtë mënyrë nxirren statistika përkatëse, shpjegon Stenfallari, për të parandaluar situatat e bullizmit.

“Ministria e Arsimit ka publikuar broshura të ndryshme sipas niveleve shkollore, nëpërmjet të cilave, si mësuesit, nxënësit, edhe prindërit marrin gjithë informacionin e nevojshëm për të parandaluar bullizmin”.

Pas të dhënave të ndryshme, nga anketime, apo në rastet kur fëmijët ankohen tek institucioni, menjëherë u jepet ndihma përkatëse nga psikologu/ia e shkollës, përmbyll mësuesja.

Projekti për parandalimin e bullizmit?

Kejvi Mici është i riu shqiptar, i cili jeton në Belgjikë dhe ka vendosur të ndërmarrë “iniciativë dashamirëse” për të zbutur këtë fenomen.

Projekti kundër bullizmit, thotë Mici për Albanian Post, lindi në kohën e pandemisë, për të sjellë në vëmendje të të gjithëve problemin dhe për të gjetur sadopak zgjidhje.

“Realiteti shqiptar, ka kudo bullizëm dhe njerëzit e pranojnë sikur të ishte diçka që kalon dhe nuk ka asnjë problem që ndodh. Kishte ardhur momenti për të bërë diçka”, ravijëzon Mici.

Shpesh të rinjtë, por jo vetëm, bien pre e bullizmit.

Ideatori i organizatës bën me dije hapat që kanë vendosur për të ndërmarrë duke i ndarë në disa stade.

Një fushatë sensibilizimi në rrjete sociale, sipas Micit, është inicimi, duke ditur që kohët e fundit çdo gjë është e përqendruar aty.

I riu citon se “workshopet, konferencat, takimet në terren, kampe, shkolla, qendra”, janë stadi i dytë.

“Kur të fillojë viti i ri shkollor, do të krijohen disa konkurse në shumë zhanre, por dhe do të jemi aty për shumë platforma që do të hartojmë”.

“Dokumentim mbi ecurinë, statistika, anketa të ndryshme deri në finalizimin e një filmi që do të shtrihet në disa vende të botës ku ka komunitete shqiptare dhe jo vetëm”, thotë ai.

“Krijimi i broshurave, një mini-libër informues mbi bullizmin (kopsht, prindër, individë, shoqëri, komunitet) etj”, janë hapat e pritur nga organizata.

Në Shqipëri, sipas tij, kjo dukuri gjendet në mënyrën më të keqe të reklamueshme dhe shumë të dëmshme.

“Shumica nuk reagojnë nga frika e paragjykimit”.

Në një kohë të shkurtër projekti ynë, thotë Mici, lindi në Shqipëri dhe u përhap në shumë vende kryesore të botës.

“Bullizmi është kudo, sidomos komunitetet shqiptare e ndiejnë shumë, fillimisht duke mos ditur gjuhën, kulturën e punës, të folurit. Ka problematika në çdo kohë”.

Edhe sipas psikologes Lorela Garuli, “bullizmi – dhuna e drejtuar, e qëllimtë e vazhdueshme, dhunë e cila mund të jetë, verbale, psikologjike përkundrejt një ose disa personave – ndikon në psikologjinë e personave, duke sjellë vetëbesimin e ulët, ankth, depresion deri në fatalitet”.

Për të “zbutur klimën e vështirë sadopak”, kryetari i organizatës thotë se ka gjetur ndihmën e miqve dhe dashamirësve për të bashkëpunuar në disa shtete.

Në bashkëpunim me Qendrën Rinore të Tiranës dhe institucionet përkatëse do të ketë disa trajnime specifike së bashku me psikologët e shkollave.

“Të gjithë së bashku po mundohemi t’i japim dritë, emocion, bukuri, harmoni jetës sonë, duke bërë gjëra që na përkasin ne dhe janë në shërbim të atij që ka nevojë”.

Sa i përket vazhdimësisë, Mici bën me dije se ecuria e projektit do të jetë deri kur t’i jepet drejtim. Duke bërë mirë për veten, fëmijën, familjen, punonjësin, nxënësin, individin, jeta e kujtdo do të ndryshojë.

Ai e përmbyll kështu fjalën e tij, por jo misionin: fillo që sot, asnjëherë s’është vonë, reflekto, modelo, ec përpara, ti mundesh…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore