Lajme

Bullgaria përkrah liberalizimin e vizave për kosovarët


Emilija Rexhepi në takim me Atanas Pekanov në Bullgari

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, gjatë ditës së diel ka takuar homologun e saj bullgar, Atanas Pekanov, me ç’rast ky i fundit ka konfirmuar se Bullgaria do të vazhdojë të jetë një prej avokuesve kryesor të integrimit të Kosovës në Bashkimi Evropian si dhe në përmbylljen sa më të shpejt të procesit të liberalizimit të vizave për kosovarët.

Në anën tjetër Rexhepi nga Sofja ka falënderuar Pekanov për përkrahjen  e vazhdueshme të Bullgarisë dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit, përkrahjes për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si dhe bashkëpunimin dhe ekspertizën e ofruar në procesin e integrimit evropian.

“Është e rëndësishme përkrahja e Bullgarisë për përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave përmes lobimit tek vendet e BE-së” ka thënë Rexhepi duke shtuar se “Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara si dhe ka shënuar progres evident në fushën e sundimit të ligjit”.

Emilija Rexhepi në takim me Atanas Pekanov në Bullgari

Ndërsa Zëvendëskryeministri bullgar, duke shprehur kënaqësinë për nivelin e shkëlqyeshëm të raporteve të ndërsjella, ka shtuar se aktualisht nuk ekziston asnjë gjë që e ndan Kosovën dhe Bullgarin.

Përkundrazi sipas tij të dyja palët shohin potencial të madh për thellim të raporteve në nivelin më të lartë institucional, rritje të shkëmbimeve ekonomike, kulturore, e në veçanti në turizëm.

“Është për të ardhur keq se si pamundësohet lëvizja e qytetarëve të Kosovës në zonën Shengen, kjo padrejtësi duhet të përfundojë sa më parë”, ka potencuar Pekanov.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore