Kosova

“Bullgaria është partnere e palëkundur e Kosovës”, Osmani pas takimit me kryeministrin Donev


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me kryeministrin në detyrë të Bullgarisë, Galab Donev, ka thënë se Bullgaria është partnere e Kosovës.

“Bullgaria është partnere e palëkundur e Kosovës në rrugëtimin euroatlantik dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani ka theksuar se do të punojmë për të hapur kapituj të ri bashkëpunimi, për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me fokus në thellimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar e energjetik dhe përmbushjen e vizionit të përbashkët për paqe, demokraci dhe zhvillim ekonomik.

Po ashtu Osmani në një konferencë të përbashkët me presidentin e Bullgarisë Rumen Radev, ka deklaruar se Serbia ka krijuar krizë në javët e fundit, në mënyrë që të mos diskutohet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është koha që ndërmjetësuesit e dialogut, Bashkimi Evropian, ta kuptojnë se Serbia ka përdorur taktikën e pengimit, përmes pjesëmarrjes”.

E para e shtetit, konsideron se pala serbe diskuton në tavolinë me kushtëzime dhe pengesa.

“Kjo është mënyra se si ata tentojnë të bllokojnë perspektivën e Kosovës në rajon dhe në nivel ndërkombëtar. Natyrisht, është në interesin tonë që ta përmbyllim këtë dialog me një marrëveshje ligjërisht të zbatueshme dhe duhet ta kuptojmë se pala që është në anën tjetër të tavolinës, nuk është e interesuar që ta përmbyllë këtë proces me sukses”.

Osmani, ka udhëtuar për një vizitë dy ditore në Bullgari, me ftesë të homolgut të saj, Rumen Radev, ka njoftuar Zyra e Presidentit.

Përveç takimit privat me Radev, Osmani do të takohet edhe me kryetarin e Parlamentit të Bullgarisë, Vezhdi Romanov.

Ndërkaq, Osmani do të nderohet nga kryetarja e Sofjes, Yordanka Fandakova me “Çelësin e Sofjes”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore