Sport

Bujar Pllana transferohet tek ekipi kroat


Futbollisti nga Mitrovica, Bujar Pllana, është transferuar te skuadra kroate, Slaven Belupo.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi nga Kroacia, të cilët konfirmuan që kanë nënshkruar me Pllanën, i cili së fundmi ishte pjesë e klubit të Prishtinës.

“Bujar Pllana është lojtari i ri i Slaven Belupës. Mbrojtësi i lindur në Kosovë 29.10.2001 do të bashkohet me skuadrën tonë për stërvitjen e pasdites pasi nënshkroi një kontratë tre-vjeçare sot”, shkruan Slaven Belupo.

“Pllana te Slaven vjen nga FC Prishtina për të cilën sezonin e kaluar luajti 25 ndeshje, shënoi katër gola dhe regjistroi një asistim”.

Për nënshkrimin u shpreh i lumtur edhe Pllana, i cili përmendi edhe dy lojtarët tjerë nga Kosova që luajnë në këtë klub.

“Jam shumë i lumtur që mbërrita në Slaven Belupo. Miqtë e mi Hoxha dhe Manaj më kanë thënë vetëm gjëra pozitive për klubin dhe qytetin ndaj vendimi nuk ishte i vështirë”, tha Pllana.

“Për mua, ardhja në Slaven dhe ligën kroate është një hap i madh përpara në karrierën time dhe mezi pres ndeshjet”, shtoi ai.

“Sa i përket lojës, më pëlqen të jem agresiv dhe më pëlqen loja në duel dhe gjëja më e rëndësishme është të ndihmoj ekipin të arrijë rezultatet e dëshiruara me lojërat e mia”, tha Pllana për faqen zyrtare të klubit të tij të ri.

Kujtojmë që 22-vjeçari në të kaluarën ka luajtur edhe për Trepçën dhe Feronikelin, derisa numëron edhe tri ndeshje me Kombëtaren U21 të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore