Jetesë & Stil

Britney Spears ndan versionin e saj mbi “skandalin” me Victor Wembanyaman


Këngëtarja e muzikës pop, Britney Spears ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me videon virale, brenda të cilës dëgjohej duke bërtitur dhe duke sharë, disa çaste pasi një roje sigurie e goditi jashtë një restoranti në Las Vegas.

“Nuk ndihem sikur jam trajtuar si e barabartë në këtë vend. Sigurisht kur e pashë videon dhe njerëzit që u mblodhën rreth meje kur më dëgjuan se më goditën, më bënë të ndihesha sikur kisha rëndësi”, ka shkruar ajo.

Në një video të siguruar nga TMZ, ylli i hitit “Toxic”, shihet duke i shkuar nga pas basketbollistit të NBA-së, Victor Wembanyama, teksa të njëjtin e prekë edhe në shpinë, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes.

“Më falni, zotëri” – është dëgjuar t’i ketë thënë lojtarit të San Antonio Spurs disa sekonda përpara se truproja e tij, Damian Smith, ta godasë në fytyrë duke ia rrëzuar syzet e diellit.

Pos tjerash, Britney vuri në dukje se nuk kishte përjetuar kurrë më parë që një truprojë të sulmonte një fanse.

Ajo ka shtuar se reagimi karshi situatës në fjalë nuk është bërë për ta “luajtur viktimën”, dhe ka këmbëngulur se akoma është fanse e lojtarit.

Gjithsesi, në një deklaratë të tij, Wembanyama ka mohuar ta ketë parë Britneyn.

“Pashë lajmet padyshim”, tha ylli i basketbollit 19-vjeçar në një video të shpërndarë në Twitter.

“U zgjova nga disa telefonata. Diçka ndodhi pak kur po ecja me sigurinë e ekipit për në një restorant. Ne ishim në një sallë dhe kishte shumë njerëz, kështu që njerëzit po më telefononin pa ndalur”, ka thënë ai.

Atleti kujton se kishte dëgjuar vazhdimisht “një person” të thërriste emrin e tij, por nuk u ndal pasi iu tha nga sigurimi se ndalimi do të shkaktonte një turmë të madhe.

“Ai person më kapi nga pas. Nuk e pashë se çfarë ndodhi sepse po ecja drejt dhe më thanë ‘Mos u ndal’. Por ai person më kapi nga pas, më kapi për supe, ajo më kapi nga pas, kështu që unë vetëm e di që sigurimi e ka larguar”, ka shtuar ai.

“Nuk e di me sa forcë, por sigurimi e shtyu atë. Nuk u ndala të shikoja kështu që vazhdova të ecja dhe shijova një darkë të këndshme. Nuk e kisha idenë se kush ishte”, vazhdoi lojtari.

Kur Wembanyama u kthye në hotel, ai mendoi se incidenti nuk ishte “një problem i madh”.

Kur sigurimi i tha se personi ishte Spears, ai mendoi se po bënin shaka.

“Fillimisht thashë: ‘Jo, po bën shaka’. Por po, rezulton se ishte Britney Spears”, tha ai

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore