Lajme

Britania e Madhe mund të zhvendosë ambasadën në Jerusalem, Truss i thotë Lapidit


Kryeministrja britanike Liz Truss i ka thënë homologut të saj izraelit Yair Lapid se po shqyrton zhvendosjen e ambasadës britanike në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem. Të dy krerët u takuan të mërkurën në Neë York në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Një zëdhënëse e Downing Street tha se Truss e informoi Lapid “për shqyrtimin e saj të vendndodhjes aktuale të Ambasadës Britanike në Izrael”, sipas raporteve në mediat britanike.

Si Sekretare e Jashtme, Truss bëri komente të ngjashme gjatë konkursit të lidershipit konservator në një letër drejtuar Miqve Konservatorë të Izraelit. Truss tha se ajo e kuptonte “rëndësinë dhe ndjeshmërinë” mbi vendndodhjen e ambasadës.

Gjatë takimit të tyre, Lapid përsëriti nevojën për të shmangur çdo lëshim të mëtejshëm në negociatat me Iranin dhe theksoi se Izraeli pret një marrëveshje afatgjatë dhe më të rreptë me Republikën Islamike, e cila do të jepte një përgjigje për të gjitha kërcënimet e paraqitura nga Teherani.

Lapid shprehu gjithashtu ngushëllimet më të thella në emër të popullit izraelit për vdekjen e mbretëreshës Elizabeth II. Ai gjithashtu përgëzoi lideren britanike për zgjedhjen e saj të fundit dhe shprehu besimin se, nën udhëheqjen e saj, marrëdhëniet mes dy vendeve do të arrijnë lartësi të reja, veçanërisht në fushën e tregtisë dhe teknologjisë.

Ata diskutuan gjithashtu forcimin e lidhjeve dypalëshe midis Izraelit dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe ranë dakord të krijojnë ekipe për të negociuar një marrëveshje të tregtisë së lirë sa më shpejt të jetë e mundur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore