Kosova

Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca kritikojnë veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në Veri


Foto: Flamuri i Britanisë së Madhe, Gjermanisë e Francës

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, është shprehur i shqetësuar për aksionin e së premtes në Veri të Kosovës, ku u mbyllën pesë komuna paralele, duke thënë se veprime të tilla mund të nxisin tensione.

Reagimin e ka bërë Hargreaves, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë”.

“Veprimet e sotme në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të prekin më të cenuarit”, ka shkruar ai.

Edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde si dhe ambasadori francez, Olivier Guerot, kanë shprehur shqetësimin e tyre për veprimet e institucioneve të Kosovës, të premten.

Sipas Rohdes, Kosova po krijon kriza të panevojshme.

“Njoftimi nuk është konsultim. Gjermania i bashkohet reagimit të Ambasadës Amerikane në shprehjen e shqetësimit dhe zhgënjimit mbi veprimet e pakoordinuara. Kjo duhet të ndryshojë”.

“Duam të heqim masat dhe të lëvizim përpara në integrimin rajonal dhe evropian të Kosovës. Jo më gjendje krize të panevojshme”, ka shkruar Rohde në rrjetin social ‘X’.

Kurse ambasadori francez, Olivier Guerot ka thënë se veprime të tilla s’janë të mirëpritura.

“Veprimet që kanë ndikim të dëmshëm në komunitete, në këtë rast te komniteti serb, nuk është i mirëpritur”.

“Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ai në platformën ‘X’.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, është shprehur e shqetësuar për aksionin e së premtes në Veri.

“Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në komunikatën e ambasadës.

ShBA-ja ka paralajmëruar se kjo do zbeh edhe partneritetin e tyre me Kosovën.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë”.

“Ky aksion është vazhdimësi e aksioneve të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, e që vazhdojnë të kenë ndikim direkt dhe negativ në komunitetin serb dhe komunitetet tjera minoritare në Kosovë”.

Ndërsa është shtuar se kërkesë e tyre e vazhdueshme nga Qeveria Kurti, ka qenë që të koordinohem për aksione të ngjashme si ky i së premtes.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtar dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton në përkeqësimin real dhe në rritje të partneritetit tonë”.

ShBA-ja vazhdimisht ka pasur ankesa dhe është shprehur e shqetësuar për veprimet e pakoordinuar të Qeverisë të udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, në pjesën veriore të vendit.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë mbyllur pesë institucione paralale ilegale të vetëqeverisjes lokale në Veri, të cilat sipas tij kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë.

“Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, komuna paralele e Zveçanit, komuna paralele e Zubin Potokut, komuna paralele e Leposaviqit”, ka shkruar Krasniqi, të premten.

Ndërsa, Policia e Kosovës, ka njoftuar se janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte.

Nga policia është thënë se i tërë operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Ambasada e ShBA-ve: Veprimet e Qeverisë së Kosovës po vënë ushtarët e KFOR-it në rrezik të madh

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore