Lajme

Brenda takimit të Varhely’it me opozitën serbe: Kujt ia kërkoi “njohjen reciproke” komisioneri evropian


Oliver Varheliy

Komisionieri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, gjatë së enjtës, ka takuar deputetët e partive opozitare në Serbi.

Varhelyi, thotë deputeti Robert Kozma për mediumin serb Nova, ka theksuar se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë përfundimisht me njohje reciproke, e cila është e pranueshme për të dyja palët.

Ai ka bërë të ditur se në takim nuk ka pasur konflikte verbale dhe as dallime të theksuara në pikëpamje, përveç komenteve të deputetes Radmila Vasiç.

“Varhelyi para së gjithash ka dashur të takohet me përfaqësues të opozitës, gjë që nuk ka qenë praktikë deri më tani dhe ne e mirëpresim”, potencoi ai.

“Ata diskutuan për raportin e Komisionit Evropian për Serbinë, ndërsa Varhelyi theksoi domosdoshmërinë e harmonizimit të politikës së jashtme me BE-në, pra çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, shtoi ai.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e partisë ultra-nacionaliste “Dveri”, Radmila Vasiç, pohoi se ka qenë e vetmja që ka pasur qëndrim të kundërt me të gjithë pjesëmarrësit tjerë në takim, sidomos ndaj njohjes së Kosovës.

“Kam paraqitur pikëpamjet tona, të cilat janë krejtësisht të kundërta me pikëpamjet e opozitës pro-evropiane. Unë pyeta nëse hyrja e Serbisë në BE varet nga njohja e shtetit të Kosovës dhe nëse Republika Srpska mund të jetë e pavarur dhe të bashkohet me Serbinë”.

“Ne deklaruam se është e papranueshme vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë dhe se nuk duhet ta njohim Kosovën në asnjë rrethanë”, shpjegoi ajo.

Gjithashtu, deputetja Dragana Rakiç, ndër të tjera, ia bëri të ditur komisionerit evropian se “BE-ja bëri një gabim duke mbështetur autokratin (Aleksandër Vuçiç), i cili duhet korrigjuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore