Lajme

Brad Pitt debuton si skulptor në ekspozitën e Finlandës


Brad Pitt ka debutuar si skulptor në Muzeun e Artit Sara Hildén në Tampere, Finlandë.

Veprat artistike të tij janë shfaqur së bashku me ato të muzikantit Nick Cave dhe artistit Thomas Houseago për ekspozitën “We” e hapur deri më 15 janar 2023.

Ndër nëntë veprat e Pitt, në muze janë një strukturë në formë shtëpie e derdhur në silikon të pastër dhe një shtëpi miniaturë 18 inç e bërë nga lëvorja e pemëve.

Pjesët më të mëdha përfshijnë një kuti bronzi që përshkruan duart, këmbët dhe fytyrat që përpiqen të depërtojnë strukturën në kënde të ndryshme.

Aktori nisi të bënte art në qeramik pas divorcit të turbullt nga aktorja Angelina Jolie, në vitin 2017.

“Për mua ka të bëjë me vetë-reflektimin”, ka thënë Pitt për kthesën e tij artistike.

“Lindi nga pronësia mbi atë që e quaj një inventar radikal i vetvetes, vërtet brutalisht i sinqertë me veten dhe duke marrë parasysh ata që mund t’i kem lënduar dhe momentet kur kam gabuar”, ka vijuar ai.

Ndërkohë, kantautori australian Nick Cave po bën gjithashtu debutimin e tij artistik.

Ai ka shfaqur “figurina qeramike me xham që përshkruajnë jetën e Satanait në 17 stacione, përmes përvojës në përballjen me vdekshmërinë”.

Sakaq, të dy skulptorët e rinj i kanë krijuar këto vepra në dialog me Houseago-n shumë më me përvojë. Artisti britanik e ka praktikuar skulpturën për gati tre dekada.

Në Tampere, Houseago shfaq një sërë pikturash, një medium me të cilin filloi të eksperimentonte vitet e fundit.

Veprat vijnë nga seria e tij në shkallë të gjerë “Visions” që u frymëzua nga simbolistët evropianë duke përfshirë Edvard Munch të Norvegjisë. Gjithashtu paraqitet edhe me skulptura të reja të bëra nga druri i kuq.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore