Lajme

BQK: Pagesat në Kosovë mund të bëhen vetëm me euro


Ilustrim.

Banka Qendrore e Kosovës, përmes një rregullore të re ka miratuar vendimin që monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë, do të jetë euro.

Kjo rregullore pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt, ndërsa është miratuar me 27 dhjetor.

“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 35 të kësaj rregulloreje.

Në rregulloren e BQK-së, thuhet se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare”.

Neni i publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), lidhur me përdorimin e euros si valutë të vetme në Kosovë.

E po ashtu, me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare dhe këto valuta po ashtu mund të përdoren për këmbim.

Këmbimi, sipas BQK-së, mund të kryhet vetëm përmes institucioneve të licencuara nga ajo për këtë shërbim.

Në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë, popullsia serbe përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucione serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

Neni i publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), lidhur me përdorimin e euros si valutë të vetme në Kosovë.

Sipas sistemit serb me dinarë paguhen edhe pensionet si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Në zonat ku banojnë serbët, dinarët përdoren në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

Dinarët në Kosovë, qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë”, e cila vepron në vendbanimet e banuara me serb në Kosovë.

Llogari në dinarë ka edhe në bankat Posstanska sstedionica dhe NLB Komercijalna banka.

Qeveria e Kosovës, akoma nuk është deklaruar për këtë çështje.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, para disa ditësh ka deklaruar se për përdorimin e dinarit në Kosovë, ka biseduar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe për këtë çështje e ka njoftuar Brukselin.

Ndërsa, të mërkurën e 18 janarit, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ka shpresuar se Qeveria e Kosovës nuk do të ndalojë përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, në Kosovë gjegjësisht në komunat të banuara me shumicë serbe.

Kjo pasi që sipas saj ky hap është kundër normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e “vranë” procesin e dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore