Lajme

BQK-ja për vitin 2023 parashikon rritje ekonomike 3 deri në 4 për qind


Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Ahmeti.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovë, rritja ekonomike në vend në vitin 2023 do të shkojë në 3 deri 4 për qind.

Kështu ka bërë të ditur guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti në konferencë për media.

“Ekonomia e Kosovës filloi në vitin 2022 me perspektivë të mirë si rezultat i vitit të suksesshëm 2021. U karakterizua me rritje 10.75 për qind. Gjatë vitit 2022, ndryshimi i dinamikeve globale, e pasojat e luftës, u shoqëruan me rritje të inflacionit, ndryshim të politikave monetare, rritje të normës së interesit, dhe ngadalësim të rritjes së tregtisë botërore”.

“Sipas vlerësimit të BQK-së këtë vit parashikimet tona janë që rritja ekonomike në vend të sillet 3 deri 4 për qind. Ngjashëm me parashikimet që jep FMN”.

Sipas tij, viti 2022 ka shënuar një ritëm më të shpejtë të rritjes edhe për remitencat e dërguara nga diaspora në Kosovë.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti

“Bazuar në të dhënat e regjistruara deri në shtator të këtij viti, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin në shumë prej 1.48 miliardë euro, e cila paraqet një rritje prej 26.1 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”.

“Vlera e remitencave të pranuara deri në fund të muajit tetor 2022 është 1 miliard euro, që paraqet rritje vjetore prej 5.5 për qind”.

Në vitin 2021 Ahmeti, kishte thënë në konferencën e fundit se ky vit konsiderohej si i suksesshëm për Kosovën, pasi ka pasur rritje në ekonominë e Kosovës prej 9.9 për qind.

“Viti 2021 konsiderohet vit i suksesshëm për Kosovën, falë diasporës, politikat e qeverisë dhe rolit të BQK-së, ekonomia e Kosovës u rrit me 9.9 për qind”.

Situata mes Ukrainës dhe Rusisë ka ndikuar edhe në Kosovë, sipas tij, për këtë arsyeje edhe Kosova ka shënuar rritje më të ulët në ekonomi gjatë vitit 2022.

Sipas të dhënave të BQK-së në vitin 2021, 265 milionë euro janë investuar nga investitorët e jashtëm, kryesisht në patundshmëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore