Shqipëria

BP drejt Sistemit Evropian të Pagesave, Mete: Përshtatet me strategjinë për tregtinë elektronike


Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të rajonit janë mbledhur në Tiranë në kuadër të Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Ministri i Financave Ervin Mete mbajti fjalën e tij teksa theksoi rëndësinë e integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt Sistemit Evropian të Pagesave (SEPA).

“Integrimi në SEPA përfitime të mëdha ekonomike për rajonin. SEPA, mundësi unike për të ulur kostot e tregtisë dhe të pagesave brenda rajonit dhe me BE”, tha Mete.

Ky i fundit shtoi se BE është partner më i madh tregtar për vendet e rajonit si dhe burimi më i madh i investimeve të huaja.

“Bashkimi Evropian partneri më i madh tregtar për Shqipërinë dhe vendet e rajonit. Mbi 70 për qind e eksporteve nga Ballkani Perëndimor shkojnë në vendet anëtare të BE-së BE, burimi më i madh i investimeve të huaja direkte në rajon”, shtoi ministri.

Nga ana tjetër, ministri vlerësoi se përfshirja në sistemin SEPA të pagesave do të krijonte mundësinë që emigrantët shqiptarë dhe familjet e tyre të kursenin më tepër.

“Me përfshirjen në SEPA emigrantët shqiptarë dhe familjet e tyre do të kursejnë ndjeshëm. SEPA do të rrisë konkurrencën e bizneseve dhe mundësitë e tyre për tregtinë ndërkombëtare”, vijon Mete.

Sistemi SEPA sipas Metes do të nxis tregtinë elektronike dhe do të krijojë akses në sisteme moderne pagesash efikase.

“Pjesëmarrja në SEPA përshtatet me strategjinë tonë për të nxitur tregtinë elektronike. Tregu e-commerce ka pësuar rritje të konsiderueshme vitet e fundit. SEPA na jep akses në sisteme moderne pagesash më efikase dhe më të sigurta. Investitorët do të kenë besim më të madh në stabilitetin dhe efikasitetin e sistemit tonë financiar. Shqipëria është e përgatitur në përmbushjen e legjislacionit bazë të BE-së për transaksionet e SEPA-s”, u shpreh ministri Mete.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore