Libra

Botohet romani “Spanjës me dashuri” nga autori Elvi Sidheri


Kopertina e romanit - “Spanjës me dashuri" - A España con Amor

Së fundmi është promovuar libri “Spanjës me dashuri” (A España con Amor), i cili njëherësh është romani i katërt i autorit shqiptar, Elvi Sidheri.

Ani pse Sidheri është më tepër i njohur për përkthimet letrare të dhjetëra romaneve dhe përmbledhjeve poetike nga shumë gjuhë të botës, autori, me pasion dhe përkushtim po vazhdon të sjellë edhe libra nga përjetimet e tij personale.

I tillë është edhe botimi i tij i fundit, “Spanjës me dashuri”, historia e të cilit ndërthur lidhjet e tij me Spanjën dhe kulturën spanjolle nga koha kur ai ka jetuar vite me radhë në Madrid, si dhe botën gjuhësore, letrare dhe artistike hispanofone në përgjithësi.

Në një intervistë për Albanian Post, Elvi tregon se Spanja ka luajtur rol të rëndësishëm në formimin e tij kulturor dhe rëndësia e këtij vendi për të është e madhe dhe frymëzuese.

“Frymëzimi për këtë roman më është ngjizur gjatë viteve, kuptueshëm pikësëpari për shkak të lidhjeve të mia vetjake me Spanjën, kulturën spanjolle dhe botën gjuhësore, letrare dhe artistike hispanofone në përgjithësi, e cila shtrihet nga gadishulli Iberik gjer në Amerikën Latine, Amerikën Qendrore, Karaibe e më tutje, deri në Filipine”.

“Madridi dhe Spanja në përgjithësi, përbëjnë një etapë thelbësore të jetës time, dhe veçanërisht të formimit tim kulturor, ngaqë për disa vite kryeqytetin spanjoll e kam jetuar në vetën e parë, në udhët, shtigjet, sheshet, monumentet dhe historinë e Madridit, duke u dashuruar me veprën e shkrimtarëve të tij të pavdekshëm, nga Cervantes, te Luis de Góngora y Argote, Francisco de Quevedo dhe Lope de Vega”, thotë autori.

Distanca mes Shqipërisë dhe Spanjës është e madhe, shtete jo fqinje të shtrira nëpër gadishuj të ndryshëm, por Sidheri, thekson se kulturat mes këtyre dy vendeve bregdetare ngjasojnë me njëra-tjetrën.

“Nuk mendoj aspak se dy vendet dhe sidomos dy kulturat tona janë ndopak të largëta mirëfilli siç mbase mund të hamendësohet. Shqiptarët dhe spanjollët, jemi dy popuj të vjetër mesdhetarë, kemi karaktere të ngjashme, kemi gjaknxehtësi tipike, jemi njerëz të ngrohtë, të dashur e mikpritës.

“Gjithashtu, në veçanti kemi të shkuar të ngjashme, me pushtime të ngjashme, osmanët për pesë shekuj në trojet shqiptare, dhe arabët mbi shtatë shekuj në viset spanjolle, duke kaluar pastaj edhe në konflikte të përgjakshme, pushtimet e Napoleonit në Spanjë, dhe më tutje Lufta Civile Spanjolle, e mësymjet mizore të vendeve fqinje dhe diktatura komuniste në Shqipëri, apo vitet e shtypjes jugosllave dhe serbe në Kosovë”, thotë Elvi.

Romani “Spanjës me dashuri” i shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh, Elvi Sidheri, ngërthen veç e veç në tre pjesët përbërëse të shtjellimit të ngjarjeve dhe personazheve të tij, tre dashuri, tre kohë, tre periudha historike dhe tre pikëtakime shqiptaro-spanjolle, të sendërtuara në jetët, dashuritë, ngjarjet mbresëlënëse dhe historitë e tre grave që mishërojnë thelbin e këtij libri dhe urat lidhëse midis kulturave shqiptare dhe spanjolle.

Por, kush ishin këto tre personazhe?

Tre personazhet kryesore të këtij romani, janë pikërisht tri femra, tri gra, të cilat përshkojnë faqet, ngjarjet, dashuritë dhe etapat historike të shtjelluara në këtë libër”.

“Të tria janë fryt i lidhjeve shpirtërore, kulturore, ndonjëherë rastësore dhe thelbësisht njerëzore midis Spanjës dhe Shqipërisë, Madridit dhe Tiranës, që nisin mes flakëve të betejës së parë madhore të Luftës Civile Spanjolle, në zemër të Madridit, me takimin midis një shqiptari idealist dhe një spanjolleje aristokrate, dhe vijojnë me brezin e dytë të këtyre lidhjeve, me një tjetër grua me gjak shqiptaro-spanjoll në Tiranën e viteve 1970, për t’u mbyllur me protagonisten e tretë femërore, e cila kthehet në Spanjë në kohën tonë, për të kërkuar rrënjët e saj”, shpjegon shkrimtari Sidheri.

Brenda këtij romani, në një nga pjesët e tij shtjellohet edhe një histori e viteve të 70-ta, e ndodhur në Tiranë gjatë kohës së komunizmit në Shqipëri.

Autori ka theksuar se, përkundër një epoke të cilën ai e ka cilësuar si “të errët”, jeta e ndritur kulturore, letërsia e dashuria, nuk ndalonin së zhvilluari në kryeqytetin shqiptar.

“Kam dashur të shtjelloj jetën e ndritur kulturore që pati vazhduar në Tiranën e viteve 1970, përkundër ndoshta fazës më të zymtë dhe prapanike të shtypjes nga regjimi monist, që përkonte sakaq me Revolucionin Kulturor maoist kinez, dhe pasojat e llahtarshme të këtij eksperimenti famëkeq në Shqipërinë e atyre viteve”.

“Gjithsesi Tirana kulturore, qytetarët e saj, atmosfera dhe jetët e banorëve të kryeqytetit shqiptar, megjithëse nën një trysni shtypëse thuajse të padurueshme, patën vijuar të lëshonin rreze lirie dhe oaze kulture në mes të katrahurës totalitare, duke vazhduar të përthithnin dhe të krijonin kulturë, letërsi, të dashuroheshin, të mos i humbisnin kontaktet me botën perëndimore, pa e ulur asnjëherë kokën përballë regjimit”, thotë Elvi.

Me anë të këtij romani, shkrimtari Elvi ka thënë se dëshiron të ndërtojë një tjetër urë midis kulturave shqiptare dhe hispanike, gjuhë dhe kulturë që përfshin më tepër se pesëqind milionë banorë të globit.

Promovimi i romanit “Spanjës me dashuri” (A España con Amor), së shpejti do të bëhet edhe në Spanjë dhe po aq shpejt do të realizohet edhe përkthimi i këtij botimi në spanjisht.

Në anën tjetër, Elvi Sidheri zotohet se do të punojë fort që të sjellë pranë audiencës, romane e botime letrare të cilësisë dhe kreativitetit më të lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore