Libra

Botohet monografia Gazeta “DAŠAMIRI”‐ “DAŠAMIRI I RI” 1907‐1908 (Këndvështrime socio‐politike dhe kulturore)


Monografia gazeta “Dašamiri” - “Dašamiri i ri”

Është botuar monografia gazeta “Dašamiri i ri”, gazetë kjo e cila ishte botuar gjatë viteve 1907 dhe 1908.

Në këtë monografi janë analizuar artikujt e gazetës “Dašamiri” që kanë të bëjnë me popullsinë shqiptare të fillimshekullit XX, të Vilajetit të Kosovës, Shkodrës, Manastirit, të Janinës dhe për shqiptarët e Moresë.

Autori, Shpend Avdiu, ka analizuar gjitashtu këndvështrimin e gazetës “Dašamiri” për vendet ballkanike, Perandorinë Osmane dhe për “Mbretin e shqiptarëve”, pastaj për Italinë dhe Austro-Hungarinë.

Një analizë i është bërë edhe shkollave dhe arsimimit, alfabetit dhe botimeve në gjuhën shqipe, infrastrukturës dhe tregtisë në Vilajetin e Kosovës dhe në Vilajetin Shkodrës.

Në pjesën e fundit të kësaj monografie, Avdiu ka shkruar për jetën sociale, për ndjenjat kombëtare të popullsisë shqiptare, për themelimin e Kishës ortodokse shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), si dhe për emigrimin e shqiptarëve në SHBA.

Gjatë hulumtimeve në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), në sektorin e dokumenteve dhe materialeve të digjitalizuara, Avdiu ka gjetur numrat e gazetës “Dašamiri”.

Materialet e kësaj gazete janë krahasuar me literaturë të ndryshme, me të dhëna të historiografisë shqiptare dhe asaj evropiane.

Si shtojcë në këtë monografi të botuar është edhe versioni origjinal i kësaj gazete i përmbledhur në gjithsej 68 faqe.

Pjesa më e madhe e kësaj monografie është shkruar në rrethana jo të zakonshme, pra gjatë kohës së mbylljes pandemike “Covid-19”.

Recensentë të kësaj vepre janë Prof.dr. Hysen Matoshi dhe Prof. dr. Nuridin Ahmeti.

Instituti Albanologjik në Prishtinë pritet që së shpejti ta bëjë edhe promovimin e kësaj monografie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore