Lajme

Bota sekrete e kancerit të gjirit


Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Dhe për asnjë arsye, nuk duhet të neglizhohen detaje lidhur me të.

Richard Simcock, shefi mjekësor në Macmillan Cancer Support, tregon se ekzistojnë katër kategori që përdoren për të përshkruar kancerin e gjirit dhe për të përcaktuar se çfarë trajtimi ka nevojë dikush.

Së pari, mjekët flasin se nga është zhvilluar – zakonisht vjen nga kanalet e qumështit ose nga gjëndrat.

Më pas ata shikojnë numrin dhe madhësinë e tumoreve për të pasur një ide se sa shpejt po rriten qelizat e kancerit – shkalla e tretë është më agresive dhe ka më shumë gjasa të përhapet.

Së fundi, ata shikojnë se për çfarë janë të ndjeshme qelizat e kancerit.

“Gratë shpesh e krahasojnë veten me fqinjen ose shoqen e tyre që gjithashtu ka pasur kancer të gjirit”, thotë Antigone Johnstone-Burt, bashkëpunëtore klinike në Macmillan.

“Por ato mund të mos kenë pasur të njëjtin lloj”, shton ajo.

Sakaq, trajtimi nuk kryhet për të gjitha njësoj. Ka raste kur nevojitet kimioterapia, kirurgjia dhe më pas radioterapi. Për të tjerët, gjërat bëhen në një mënyrë tjetër, ose jo të gjitha janë të nevojshme.

Ndërkohë, “kimio” mund të nënkuptojë shumë gjëra të ndryshme

Fjala kimioterapi mbulon një mori barnash të shpërndara në mënyra të ndryshme.

Mund të përfshijë thjesht marrjen e një tablete të rëndë, ose qëndrimin në spital duke marrë ilaçet në mënyrë intravenoze.

Për popullatën e përgjithshme femërore, disa studime tregojnë një shans 11 për qind për t’u prekur nga kanceri i gjirit para moshës 80 vjeç.

Për ato me gjenet e kancerit BRCA 1 ose BRCA 2, rreziku është përkatësisht deri në 79 për qind dhe 77 për qind.

“Të kesh një mutacion BRCA është si të ngasësh shumë i dehur”, thotë Simcock.

“Ju nuk do të rrëzoheni domosdoshmërisht, por jeni më pak të sigurt se njerëzit e tjerë. Ka gjëra që mund të bëni për të zbutur rrezikun, të tilla si ushqimi i shëndetshëm dhe stërvitja, por shanset janë kundër jush”, ka vijuar.

Nuk duhet harruar se, vizita nuk duhet të anashkalohet, pasi mund të dukeni vërtet të shëndetshme kur mësoni se keni kancer.

E vetmja simptomë mund të jetë dhimbja, të cilën shpesh ne e zvogëlojmë në tendosje të muskujve.

Vetëm pak kohë pasi nis trajtimi, fillojnë të duken shenjat e një shëndeti jo të mirë.

Ndërkaq, nyjet limfatike mund të thonë shumë.

Në sqetullën tuaj gjenden deri në 40 nyje limfatike.

Kur keni një gungë në gjoksin tuaj, mjekët do të duan t’i kontrollojnë ato, sepse nëse kanceri është përhapur, kjo është zakonisht porta e parë e thirrjes.

Nëse ka, mund t’ju duhet t’i hiqni të gjitha.

Edhe nëse nuk ka, mjekët zakonisht do t’i marrin disa prej tyre për t’i kontrolluar.

Mos harroni t’u tregoni mjekëve nëse kohët e fundit keni bërë një vaksinë për COVID-in ose gripin përpara skanerit.

Një tjetër detaj është se kimio mund t’ju shtyjë në menopauzë.

Ndonjëherë mjekët përpiqen në mënyrë aktive t’ju fusin në menopauzë – 80 për qind e kancereve të gjirit janë të ndjeshëm ndaj estrogjenit dhe duke shtypur vezoret ata përpiqen të ndalojnë tumorin të rritet dhe të përhapet.

Për njerëzit me negativ të trefishtë ky nuk është një problem, kështu që në të vërtetë është vetëm një efekt tjetër anësor.

Johnstone-Burt thotë se disa vuajnë me “simptoma vërtet të mëdha” dhe se dhimbjet e kyçeve dhe djersitjet e natës mund të jenë problem.

Kurse Simcock thotë se mund të jetë e vështirë t’u thuash pacienteve se nuk mund të kenë terapi zëvendësuese të hormoneve, sepse kjo mund të bëjë që kanceri të kthehet.

Megjithatë është qetësuese të zbulosh se pothuajse çdo gjë që ndodh gjatë kohës që trajtohesh i ka ndodhur dikujt më parë dhe mjekët dhe infermierët kanë gjithmonë një përgjigje.

Është më alarmante kur ju japin ilaçe për të luftuar efektet anësore para se ato të kenë ndodhur.

Ndonjëherë, marrja e një gjëje do të thotë që mund t’ju duhet të merrni një tjetër për të luftuar efektet anësore të saj.

Një nga efektet anësore më të këqija të shumë ilaçeve kimioterapeutike të përdorura për trajtimin e kancerit të gjirit është humbja e flokëve.

Ndërhyrja e disponueshme është një kapak i ftohtë: një kapelë që të ftoh kokën gjatë kohës që keni kimioterapinë dhe mbron folikulat nga marrja e shumë ilaçeve.

Shumë zgjedhin të presin flokët ose rruhen. Kjo do të bënte seanca më të rehatshme të kimioterapisë, por nëse kjo nuk është për ju, atëherë kapaku ia vlen pasi mund t’i ruajë flokët.

Kur dëgjoni për kimioterapinë dhe rënien e flokëve, ndoshta nuk mendoni për asgjë nën lëkurën e kokës, por kjo ndikon në gjithçka tjetër.

Qimet e hundës kanë më shumë se një punë: ndalimin e gjërave që shkojnë lart, por ato ndalojnë edhe rënien e mukozës kur jeni me rrufë.

Ndaj, llogaritet te elementët negativë rënia e qimeve të hundës gjatë kimios.

Rekomandohet që të jeni vigjilente nëse keni një mastektomi.

Kryerja e një mastektomie heq pjesën më të madhe të indit të gjirit, por ka ende një pjesë të mbetur dhe kjo do të thotë se ekziston mundësia që kanceri të kthehet.

Radioterapia e zvogëlon rrezikun më tej, dhe ka tableta dhe terapi të tjera që janë krijuar për të trajtuar qelizat e zgjatura të kancerit dhe për të ndaluar zhvillimin e tyre në të ardhmen.

Edhe me të gjitha këto, frika e përsëritjes vazhdon.

Organizatat bamirëse kundër kancerit dhe ato të përkushtuara posaçërisht për kancerin e gjirit kanë faqe interneti, linja telefonike dhe qendra ku mund t’u drejtoheni për ndihmë dhe informacion.

Ata ju vënë në kontakt me personat përgjegjës për të marrë këshillat e nevojshme.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore