Sport

Bota mban dorën në zemër për Pele


Lajm tronditës ishte ai i pasdites së 3 dhjetorit, kur bota mori vesh se legjenda e futbollit brazilian dhe atij global, Pele, ishte zhvendosur në kujdes paliativ, si pasojë e faktit se ai nuk po i përgjigjet më kimioterapisë, lidhur me kancerin në zorrën e trashë, sëmundje nga e cila vuan prej kohësh.

Kështu, trajtimi i tij mjekësor, do të bazohet vetëm në lehtësimin e dhimbjeve të forta dhe aspektit psikologjik, përfshi edhe atë të familjes së tij, për ta kaluar sa më lehtë këtë çast.

Nga çdo cep i globit, por mbi të gjitha nga Katari, aty ku zemra e botërorit është zhvendosur përkohësisht me rastin e zhvillimit të kupës së botës, shkuan mesazhe inkurajuese për legjendën e gjallë të sportit më popullor në botë.

“Pele, shërohu sa më parë”, ishte mesazhi i tifozëve brazilianë, në ndeshjen përballë Kamerunit, për 82-vjeçarin, i cili ishte shtruar në spitalin e Sao Paulos të martën.

“Lutuni për Mbretin”, shkroi në llogarinë e tij në Twitter lojtari francez, Kilyan Mbappe, duke i thirrur Pele-së me nofkën që i ka mbetur prej kohës kur luante aktivisht futboll.

Ish-trajneri i Gjermanisë, Jurgen Klinsman, e vlerësoi edhe si një figurë të jashtëzakonshme, përtej futbollit, duke cituar se Pele është një frymëzim për çdo lojtar apo ndjekës të lojës në fushën e blertë.

“Pele është një njeri kaq i mrekullueshëm. Një personalitet i jashtëzakonshëm në botën e futbollit. Mundet veçse të lutemi dhe të shpresojmë më të mirën për të, edhe pse lajmi është i hidhur”, e përshkroi Klinsman situatën.

Në të njëjtin ton ishte edhe kapiteni i Anglisë, Harry Kane, i cili theksoi se lajmi i ardhur nga Brazili ishte shumë i keq dhe të gjithë duhet të luten për shëndetin e Pelesë.

Edhe ish-futbollisti i Argjentinës, Pablo Zabaleta, teksa intervistohej nga media britanike BBC, e bëri të qartë se Pele ka qenë gjithnjë një frymëzim për çdo brez futbollistësh dhe lajmi i shtrimit të tij në spital, është ndër më të hidhurit që mund të vinte në zhvillim të botërorit futbollistik.

Vetë vendi mikpritës, Katari, në një kullë në Doha, vendosi në shenjë respekti dhe solidarizimi një mesazh mbi foton e Pelesë, ku shkruhej “Shërohu shpejt”.

Në historinë e futbollit, askush nuk i është afruar suksesit të Pele në kupën e botës, pasi ky i fundit numëron plot tre trofe të tillë në gjithë shtrirjen e karriesës së vet.

Në historinë e botërorëve, Pele si individ, lihet pas për kupa bote vetëm nga Gjermania dhe Italia të marra si shtete, duke lënë pas fitues të shumëfishtë si Argjentina apo Uruguai, të cilat numërojnë dy kupa bote.

Një legjendë e vërtetë në vështirësi shëndetësore, që i kujton botës sot, në kohë botërori, më shumë se kurrë, se është një njeri i thjeshtë, me pas një vepër ikonike.

Legjenda e futbollit, Pele vendoset në kujdesin paliativ

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore