Policia federale e Argjentinës ka arrestuar liderin e një prej mafieve më të fuqishme dhe të egra italiane, “Ndrangheta”, pas shumë vitesh në kërkim.
Agjencia e Sigurisë tha në një deklaratë se Carime Alfonso Maiorano, u arrestua javën e kaluar në Guernica, një qytet në periferi të Buenos Aires-it.
Për Maiorano-n kishte një urdhër arresti ndërkombëtar nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (Interpol) që nga viti 2015.
68-vjeçari akuzohet se ka kryer operacione të trafikut të drogës dhe armëve mes vendeve të Amerikës Latine dhe Evropës.
Në deklaratën e policisë thuhet se mafia ‘Ndrangheta’ u vendos në Argjentinë disa vite më parë dhe vepron së bashku me homologë shqiptarë në Evropë.
Ai u arrestua nga Departamenti i Hetimeve Antimafia të policisë federale të Argjentinës.
I arrestuari është vënë në dispozicion të Gjykatës Federale Penale dhe Korrektuese të Argjentinës.
“Ndrangheta” është një organizatë italiane e tipit mafioz, e cila daton që në shekullin e 18-të, e vendosur në rajonin e Kalabrisë.
Ajo ende ndjek ritet e saj të lashta të cilat përcillen gojarisht dhe përmes kodeve sekrete. “Ndrangheta” përbëhet nga klane autonome të cilat bazohen në lidhjet e gjakut.
Grupi gjithashtu ka monopolin mbi trafikun e drogës në Evropë, si dhe merret me trafikun e armëve, pastrimin e parave, shantazhin, zhvatjen, huamarrjen dhe prostitucionin.
Sipas Interpolit, ‘Ndrangheta është një nga organizatat kriminale më të gjera dhe më të fuqishme në botë.
Vitin e kaluar, autoritetet spanjolle arrestuan një tjetër bos famëkeq të “Ndrangheta”-s në Madrid, pas dy vitesh në arrati.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com