Ekonomi

Borxhi global prek majat – për Shqipërinë thikë me dy presa


Vitin e kaluar borxhi global arriti një rekord prej 257 trilionë dollarësh, ekuivalent me 320% të Prodhimit të Brendshëm të Bruto (PPB) të të gjitha shteteve.

Në vitin 2021, ky borxh kapi nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë. Shkaku kryesor i kësaj rritje është pandemia, shkruan Bloomberg.

Qeveritë, kompanitë dhe familjet, me qëllim lehtësimin e situatës së krijuar, e rritën borxhin global me 24 trilionë dollarë, krahasuar me një vit më parë.

281 trilionë dollarë, ose më shumë se 355% të PBB-së globale, përllogaritet borxhi i arritur këtë vit nga Instituti i Financave Ndërkombëtare (IIF).

“Qeveritë nuk kanë shumë mundësi zgjedhjeje, përveçse të vazhdojnë të marrin hua edhe në vitin 2021”, thonë drejtori i hulumtimit të qëndrueshmërisë me qendër në Washington, Emre Tiftik dhe ekonomistja Khadija Mahmood.

Pyetjet që lindin si rrjedhojë janë krejt të natyrshme: Kush e jep këtë borxh? Cilat janë rreziqet që vijnë nga ai? Dhe për ta nisur nga çështja bazë: çfarë është borxhi global?

Çfarë është borxhi global?

“Borxhi global i referohet borxhit të akumuluar të të gjitha shteteve të regjistruara në botë. Zakonisht nuk është një indikator tregues i mirë në analizat ekonomike sepse përgjithëson shume variabla dhe barazon shumë rrethana të shteteve të ndryshme”.

Kështu e përkufizon në terma të përgjithshëm pedagogu Rrezart Prifti, që ligjëron në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.

“Për shembull: Nëse një botë hipotetike ka 10 shtete, dhe borxhi global është rritur me 100 milionë dollarë, mund të jetë që secili shtet e ka rritur borxhin me 10 milionë dollarë ose 9 shtete nuk kane akumuluar fare borxh dhe 1 prej tyre është shkaktar për gjithë borxhin e rritur”, vazhdon Prifti.

Si jepet ky borxh, kush e paguan?

Për Albanian Post, profesori Prifti ka folur edhe për llojet e ndryshme të borxhit, mënyrat e emetimit të tij dhe relacionet me nivelet e ndryshme të organizimit institucional.

“Janë dy kategori te përgjithshme borxhi. E para ai që quhet borxh i brendshëm, i cili i referohet personave, institucioneve financiare, dhe bankave të brendshme të një shteti”.

“Për shembull, shteti shqiptar emeton një borxh prej 100 milionë dollarësh. 30% e këtij borxhi blihet nga individë të Republikës së Shqipërisë në formën e investimit në bono thesari, 30% nga bankat, të cilat operojnë në Republikën e Shqipërisë dhe pjesa tjetër nga institucione financiare po brenda vendit. Në këtë mënyrë borxhi i shtetit Shqiptar është blerë nga operatorë të brendshëm dhe rregullohet nga mekanizma të brendshëm monetar dhe fiskal”, sqaron ai.

Lloji i dytë i kategorisë së borxhit, vazhdon sqarimin e tij profesori, “është ai i jashtëm”. Ky lloj borxhi emetohet nga një shtet dhe blihet ose mbahet nga një shtet tjetër i jashtëm.

“Shtetet e Bashkuara te Amerikës (SHBA) emetojnë 100 milionë dollarë borxh. 50% e këtij borxhi blihet nga të njëjtët operatorë si më sipër: banka, individë dhe institucione investimi te shtetit amerikan. Ndërsa 50% i mbetur blihet nga Kina, për shembull”.

Çfarë rreziqesh përmban?

Për sa i përket rreziqeve, Prifti thotë se rreziku i parë paraqitet tek mënyra e shfrytëzimit, që lidhet me atë se sa pasuri krijon ekonomia përmes borxhit të marrë.

“Nëse marrim një dollar borxh dhe shteti e përdor në ekonomi janë dy skenarë. I pari është që për çdo një dollarë të marrë borxh gjenerimi ekonomik është 1,1 dollarë ose më shumë, atëherë themi se shteti e ka menaxhuar mirë borxhin. Nëse ndodh e kundërta e ka keq menaxhuar”.

Një risk tjetër, thekson profesori, ndërlidhet me aftësinë paguese të shtetit – apo thënë ndryshe, “ashtu si një individ që merr një kredi dhe banka e vlerëson nëse individi ka fuqi paguese, ashtu ndodh dhe me shtetin”.

Po ashtu, kur shteti merr borxh atëherë shteron likuiditetin ne tregun monetar. Kjo nënkupton se vlera e parasë nominale është e kufizuar.

“Nëse ekonomia ka për qarkullim 10 lekë dhe shteti merr borxh shtatë prej tyre, mbeten tre lekë për te qarkulluar ne treg. Kur shteti shteron likuiditetin atëherë ndikon në normat e interesit të parasë në sistemin bankar, duke e bërë më të shtrenjte paranë për individët dhe biznesin”.

Në këtë kuptim, borxhi publik trajtohet si problem, gjë që profesori Prifti nuk heziton të thotë se vjen nga mosdija për financat, pasi borxhi mund dhe zakonishtpërdoret për projekte të rëndësishme investimi.

“Sugjerohet që në raste kur një shtet ka mundësi të mira paguese, mundësi investimi të mira dhe interesat në treg janë të ulta, të marrë borxh pa problem. Këtë logjikë e kanë përdorur SHBA-ja, Holanda, Japonia, dhe Bashkimi Evropian, si entitet masiv”.

Mënyra më e mirë për të dalë nga borxhi?

“Si të dalim nga borxhi?”, është pyetja të cilës profesori i përgjigjet me togfjalëshin “zhvillim ekonomik”. Por, a ka kuptim praktik ekonomik kjo pyetje dhe pse është gati e pamundur të bëhet?

“Jo. Sepse kërkon sinkronizim të nivelit dhe rritjes ekonomike mes të gjitha vendeve të botës”, thekson Prifti, i cili shton se “për shtete individuale është e mundur praktikisht”.

Holanda është ndër shtetet që boxhin e ka në nivele shumë pranë zeros. Shqipëria radhitet e 113-ta në listën e borxhit, në nivel global, ndërsa sa i përket atij publik në vitin 2020 ishte në shifrën e 80.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore