Lajme

Borrell ia kthen letrën Kurtit: S’i adresove çështjet kyçe në planin për de-eskalim


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ia ka kthyer përgjigjen kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili kishte paraqitur një plan pesë-pikësh për qetësimin e situatës në veriun e banuar me serbë etnikë.

Në letrën drejtuar kryeministrit Kurti, diplomati spanjoll ripërsëriti hapat që duhet të ndërmerren për qetësimin e situatës në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ashtu siç kanë kërkuar paraprakisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës duhet të punojnë përkohësisht në lokacione të tjera, larg nga ndërtesat komunale. Këtë kërkesë tashmë e kanë ndjekur edhe kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit. Besojmë se edhe kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, të cilët i përkasin partisë tuaj, të ndjekin këtë kërkesë”.

“Njësia speciale e Policisë duhet të tërhiqet. Paralelisht ne jemi duke kërkuar edhe nga Serbia mbështetje për tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona. Pas shtensionimit të situatës ne jemi të gatshëm të diskutojmë aranzhimet e sigurisë me KFOR-in në katër komunat që i keni sugjeruar në pikën tre”.

“Ne gjithashtu kemi kërkuar për zgjedhje të parakohshme sa më shpejtë që është e mundur në katër komunat veriore dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Ne presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe ia kemi bërë të qartë këtë kërkesë edhe presidentit serb [Aleksandër] Vuçiç”.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se një “plan alternativ” në përbërje prej gjithsej pesë-pikave ua ka prezantuar shteteve partnere të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe) për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog.

Sundimi i ligjit në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, tërheqja e “milicisë fashiste” atje, kryerja e vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, KFOR-i e EULEX-i, shpallja e zgjedhje lokale të parakohshme dhe rikthimi në dialog janë pikat e propozuara nga kryeministri Kurti.

Shefi i diplomacisë evropiane komentoi shkurt pikat e tjera të planit të Qeverisë së Kosovës, porse ajo duhet të ndërmarrë hapa vendimtar për të de-përshkallëzuar situatën përgjatë vijës së masave të paraqitura nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Se do të kishte pasoja jashtëzakonisht serioze për Kosovën nëse kryeministri Kurti nuk përmbush tri kërkesa “të qarta” të bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në veri, kishte paralajmëruar vetë Borrell pas një takimi me presidenten Vjosa Osmani, më 1 qershor, në Kishinau të Moldavisë.

Letra e plotë:

Si hap i parë, katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës duhet të përkohësisht të punojnë nga lokacione tjera e që nuk janë ndërtesat e komunave. Kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit aktualisht e kanë përfillur kërkesën. Ne besojmë që edhe kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, të cilët i përkasin partisë tuaj, të ndjekin këtë kërkesë.

Ne gjithashtu kemi kërkuar suspendimin e operacioneve policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Njësia speciale e Policisë duhet të tërhiqet. Paralelisht ne jemi duke kërkuar edhe nga Serbia mbështetje për tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona. Pas shtensionimit të situatës ne jemi të gatshëm të diskutojmë aranzhimet e sigurisë me KFOR-in në katër komunat.

Ne gjithashtu kemi kërkuar për zgjedhje të parakohshme sa më shpejtë që është e mundur në katër komunat veriore, dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Ne presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe ia kemi bërë të qartë këtë kërkesë presidentit serb, Vuçiq. Bazuar në legjislacionin e Kosovës, janë disa mënyra për mbajtjen e zgjedhje të reja.

Sa i përket pikave të tjera që keni ngritur në letrën tuaj:

Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për dhunën e kryer më 29 maj dhe EULEX-i do t’i monitorojë të gjitha hetimet në linjë me mandatin e tij.

Siç e dini mirë, jam i gatshëm të thërras një mbledhje të nivelit të lartë me ju dhe presidentin Vuçiq nën parakushtin se ju jeni i gatshëm të ndërmerrni hapat e nevojshëm që fillimisht të depërshkallëzoni dhe hapni rrugën për zgjedhje të reja lokale. Nuk mund të bëjmë progres në normalizimin e marrëdhënieve, derisa merremi me menaxhimin e krizave. Blloku i BE-së dhe SHBA-ja kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam ta shohim se po lëviz përpara. Për këtë arsye, depërshkallëzimi është i nevojshëm menjëherë. Nëse jeni të gatshëm të ndërmerrni hapat e nevojshëm, një takim mund të organizohet shpejt.

Sa i përket “planit të sekuencimit” , tashmë keni pranuar komentet e detajuara nga ne mbi propozimin tuaj. Të dyja palët kanë pranuar një draft-propozim të ri nga Lajçaku, i cili merr shumë nga sugjerimet e juaja. Ne po presim përgjigjet nga palët dhe po presim që ky propozim të jetë i pranueshëm për të dy.

Sa i përket vlerësimit të mundshëm të përbashkët të sigurisë, këto mund të diskutohen pasi të arrihet depërshkallëzimi. Megjithatë, kjo nënkupton se ju do të merrnit opinionet nga EULEX-i dhe KFOR-i plotësisht dhe t’i trajtoni ata si partnerë, e cila po ashtu nënkupton koordinimin me ta paraprakisht. Theksojmë me keqardhje se kjo nuk u bë dje në rastin e operacionit në Mitrovicën e Veriut. Prandaj, çdo masë e sundimit të ligjit në të ardhmen në veri të Kosovës duhet të diskutohet dhe individualisht të vlerësohet bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in. Ngjarjet në të kaluarën kanë treguar se jo çdo masë e ndërmarrë nga Kosova nën ombrellën e sundimit të ligjit mund të mbështetet nga partnerët tuaj ndërkombëtarë në kontekstin e një mjedisi shumë të brishtë.

Ju nxis të adoptoni më shumë hapa për të depërshkallëzuar situatën, bashkë me masat e kërkuara nga shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-ja. Vetëm pasi paqja dhe stabiliteti të rikthehen në veri të Kosovës, mund të fokusohemi në normalizim, përmes implementimit të plotë nga të dyja palët të Marrëveshjes drejt zbatimit të Aneksit; puna që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të fillojë pa ndonjë shtyrje të mëtejme apo parakusht.

Ashtu siç e kanë bërë shumë të qartë 27 shtetet anëtare të BE-së, dështimi për depërshkallëzim do të rezultojë në pasoja negative. Shtetet anëtare janë informuar për masat dhe do të komunikojmë me to publikisht.

Kufijtë kohorë janë ngjeshur – sanksionet ndaj Kosovës në prag

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore