Lajme

Borrell: Escobar e Lajçak javën tjetër vizitojnë Kosovën


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë të ditur se i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do ta vizitojë Kosovën javën e ardhshme së bashku me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Vizita e diplomatit amerikan dhe atij evropian do të fokusohet në bisedimet me liderët politik kosovarë në atë mënyrë që të vazhdojë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kryediplomati evropian, Borrell i cili ishte në vizitë zyrtare në Serbi të martën e 25 janarit gjatë një konference për media së bashku me Kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka bërë të ditur se ai së bashku me Lajçak po vazhdojnë të punojnë për ta përgatitur një raund të ri të dialogut në Bruksel.

“Lajçak dhe unë do të vazhdojmë të punojmë me të dy palët, e veçanërisht me Kosovën, e cila aktualisht po tregon përmbajtje të konsiderueshme për t’u ulur në tryezën e bisedimeve”, ka thënë Borrell.

Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak

Diplomati spanjoll Borell, deklaroi se hapat e Serbisë drejt bisedimeve për anëtarësimin në BE varen nga progresi në dialogun me Kosovën.

Borell tregoi se me kryeministren serbe biseduan për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilën deklaroi se “mirëpresin gatishmërinë e Serbisë”.

Borell gjithashtu bëri thirrje që “Beogradi dhe Prishtina të përmbushin obligimet e tyre, dhe të gjitha marrëveshjet arritura deri më tani”.

Ai tha se duhet të krijohen kushte për të çuar dialogun përpara, duke lënë anash “veprimet e pakoordinuara dhe retorikën”.

Ana Bërnabiç dhe Josep Borrell

“Progresi në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, deklaroi Borell, “do të vendosë ritmin e negociatave për para-anaëtarësimin e Serbisë në BE”.

“Dëshiroj të theksoj se nuk ka vend në Evropë për shtete që mohojnë gjenocidin, nuk ka vend në Evropë për të glorifikuar krimet e luftës dhe, nuk ka vend në Evropë për të mbështetur publikisht ata që mbështesin gjenocidin dhe glorifikojnë krimet e luftës, të cilët minojnë integritetin e vendeve”, deklaroi mes të tjerash kryediplomati evropian.

“Këtë ia paraqitëm kryeministres së Serbisë dhe jemi të sigurt se Serbia do të vazhdojë, nën udhëheqjen e saj, në rrugën evropiane”, tha Borrell në konferencë.

Borrelli, bëri me dije se Lajçak dhe Escobar një ditë pas vizitës në Kosovë do e vizitojnë edhe Serbinë.

Ndryshe para një muaji, Albanian Post kishte raportuar për ardhjen e dyshes euro-amerikane në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore