Lajme

Borrell eksplicit: Të shpallen zgjedhjet, policia të largohet menjëherë


Josep Borrell

Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, përmes një komunikate për media, ka kërkuar në mënyrë imediate që Kosova dhe Serbisë të marrin masa për të de-përshkallëzuar situatën në Veri të Kosovës.

Borrell, në emër të 27 vendeve anëtare të Unionit, ka kërkuar gjithashtu nga Kosova dhe Serbia të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar.

“Qetësia duhet të rivendoset urgjentisht. BE-ja është i gatshëm të zbatojë masat e vendosura. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të çojë në pasoja negative.”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Unioni.

Diplomati spanjoll ka përsëritur gjithashtu edhe pikat të cilat duhet t’i zbatojë Kosova në mënyrë që të shtensionohet situata në pjesën veriore të Kosovës.

“Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo shkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje”.

Në këtë komunikatë për media, Borrell, është mjaftuar duke shprehur vetëm shqetësimin e Unionit për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe, pa kërkuar largimin e tyre nga brezi kufitar me Kosovën.

Borrell gjithashtu ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi e të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në Veri të Kosovës.

“BE-ja pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialog për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në Veri të Kosovës që garanton siguri dhe demokraci pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj. Kjo përfshin fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”.

Zëvendës-këshilltari për Siguri Kombëtare i Biden me kërkesa eksplicite: Kurti ta tërheqë policinë, Vuçiç ushtrinë, të de-përshkallëzohet situata

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore