Kosova

Borrell e Lajçak s’u treguan të rreptë në dialog, thotë Cramon


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka kritikuar Josep Borrell e Miroslav Lajçak, për faktin se të njëjtit nuk janë treguar më të rreptë në kërkesën e tyre për nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, derivat i propozimit franko-gjerman, gjë që do të mënjanonte paqartësitë për atë se çfarë pranuan e çfarë jo palët, në këtë rast Kosova dhe Serbia.

Marrë për bazë këtë lëshim të ndërmjetësuesve të dialogut, eurodeputetja gjermane ka potencuar në një intervistë për mediumin serb me seli në Kosovë, se tani si Prishtina zyrtare ashtu edhe Beogradi zyrtar po fajësojnë njëri-tjetrin e Union për ngecje në zbatim të Marrëveshjes.

Në vlerësimin e Cramon, shefi i diplomacisë së BE-së nuk është marrë sa duhet me çështjen e Kosovës.

“Borrell nuk është mjaftueshëm i njohur me ngjarjet në Ballkanin Perëndimor. Nëse dëshiron të merresh vërtet me këtë rajon, duhet të bësh më shumë përpjeke dhe të jesh shumë shpesh i pranishëm në terren”.

Ndryshe Cramon, potencoi një ditë më parë në një intervistë për Zërin e Amerikës se në bisedën me përfaqësuesit e serbëve ka dëgjuar se “ata ndjehen si qytetarë të dorës së dytë”.

“Kjo duhet marrë seriozisht. Në Graçanicë u takova me përfaqësuesit vendas serbë dhe me peshkopin e Kishës Ortodokse Serbe dhe ai dha disa shembuj të diskriminimit”, ka thënë ajo për median amerikane.

Von Cramon ka folur shkurtimisht edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, proces për të cilin tha se ka punuar shumë, por ajo ka komentuar edhe mundësinë e liberalizimit të vizave për serbët e Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga Serbia, që për shtetin e Kosovës janë të kundërligjshme.

Këto janë pasaporta që paraqesin qytetet e Kosovës si pjesë e Serbisë.

Ato as vetë Serbia nuk i konsideron si pasaporta të rregullta dhe me këto lloj pasaportash serbët nuk mund të udhëtonin lirshëm si pjesa tjetër e serbëve të Serbisë.

Jo fort e qartë, Von Cramon iu ka premtuar edhe atyre që do të mund të udhëtojnë pa viza.

“Ata që për ndonjë arsye nuk i kanë nxjerrë pasaportat e Kosovës, Komisioni ka vendosur që të mos i diskriminojë dhe pas procedurave të mund të udhëtojnë lirshëm”, deklaroi Von Cramon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore