Lajme

Libri i Borrellit: S’ka qenë lehtë të shmanget konflikti i plotë midis Kosovës dhe Serbisë


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në librin “Evropa mes 2 luftërave” që u botua rishtas, trajton çështjet urgjente të politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së gjatë vitit 2023, ku përfshihet edhe rrjedha e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe procesi i dialogut Prishtinë-Beograd nën lehtësimin e bllokut.

Në kapitullin e titulluar “Dialogu Prishtinë-Beograd: Koha për të marrë përgjegjësi” që gjendet në pjesën e fundit, krydiplomati evropian kujton tensionet që shpërthyen në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke sugjeruar se një konflikti në shkallë të plotë u shmang kryesisht për shkak të përpjekjeve diplomatike të BE-së në kuadër të dialogut.

“Në vend të avancimin drejt normalizimit të marrëdhënieve për ta bërë Evropën më të sigurt dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për njerëzit në rajonit, koha dhe energjia jonë u përthithën nga menaxhimi i krizës, barrikadat dhe kërcënimet e dhunës në gjysmën e dytë të 2022. Nuk ishte e lehtë të qetësohej situata dhe të shmangej një konflikt i plotë”.

Në vitin 2023, bashkësia e organizuar ndërkombëtare kuptoi se duhej ta shtynte përpara dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi para se të bëhej tepër vonë, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë. Nën hijen e realiteteve të reja gjeopolitike, diplomatët perëndimorë u përpoqën të nxisnin palët drejt pranimit të një marrëveshjeje kompromisi të negociuar.

Kjo rezultoi në propozimin e marrëveshjes së iniciuar nga Franca dhe Gjermania – dy vendet kryesore të Bashkimit Evropian (BE) – e cila dukej se bazohej në modelin e Marrëveshjes Bazë të nënshkruar midis dy Gjermanive në vitin 1972 që rezultoi në njohje ndërkombëtare dhe anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të dy vendet.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ndryshoi fotografinë e përgjithshme. Dialogu nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën dhe Serbinë. Ajo duhet parë në kontekstin aktual më të gjerë gjeopolitik, si një moment përcaktues në historinë evropiane”, shkruan Borrelli në librin e fundit që në fakt është një përmbledhje e opinoneve, postimeve dhe fjalimeve përgjatë vitit 2023.

“Asnjëherë nuk është thënë se një detyrë kaq monumentale sa lehtësimi i një marrëveshjeje normalizimi do të ishte e lehtë. Ka pasur ulje-ngritje dhe shumë shpesh çështjet e konsideruara të vogla dhe teknike janë dëshmuar shumë të ndjeshme dhe politike – çështje të cilat kanë pasur potencialin për t’u kthyer në dhunë”, shkruan ndër të tjera top diplomati spanjoll.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç supozohet se pranuan një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt 2023 në Bruksel të Belgjikës. Pastaj u arrit një dakordim për planin e sekuncimit të marrëveshjes më 18 mars 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, përgjatë rrugës situata u përkeqësua.

“Kjo është arsyeja pse tani është koha për t’u fokusuar në tablonë e gjerë dhe për të mos lejuar që një dritare tjetër të mbyllet para syve të njerëzve të rajonit, ashtu sikurse ndodhi disa herë në historinë e fundit. Koha që Serbia dhe Kosova të bien dakord për aneksin e zbatimit, i cili është pjesë integrale e marrëveshjes”, shkruan shefi i diplomacisë evropiane.

E përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë tutje, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjeve të hapura dhe tensioneve ekzistuese ose nënprodukteve të “pasioneve maniçeane” do të zgjerohet apo Kosova dhe Serbia do të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore