Kosova

Borrell: BE-ja është e gatshme të marrë “masa politike dhe ekonomike” nëse nuk mbahen zgjedhjet në veri


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në një konferencë për media pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Strasburg, ka thënë se e vetmja zgjidhje për situatën në veri të Kosovës mbeten zgjedhjet e reja atje, përndryshe parashihen “masa ndëshkuese”.

“Ne kemi rënë dakord që zgjedhjet të mbahen. Ne kemi rënë dakord që nuk mund të kemi në zyra kryetarë të komunave që mbrohen përgjithmonë nga forcat [paqeruajtëse] të NATO-s [në Kosovë]. Kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme. Zgjidhja do të vijë vetëm nga zgjedhjet e reja”, ka thënë Borrell.

Kryediplomati evropian ka bërë me dije se 27 shtetet anëtare të BE-së, në takimin ku kanë shqyrtuar mënyrën se si të zgjidhin krizën gjithnjë e më të mprehtë në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, kanë konsideruar marrjen e “masave politike dhe ekonomike” nëse Kosova dhe Serbia nuk pajtohen për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Shtetet anëtare kanë marrë në konsideratë marrjen e masave politike për të kufizuar kontaktet politike dhe për të vënë masat e përcaktuara financiare […] Ato duhet të jenë masa proporcionale dhe duhet të jenë të kthyeshme”, ka thënë Borrell.

“Këto masa sigurisht që do të prekin aspektin politik dhe ekonomik të marrëdhënieve tona. Ka organe që punojnë për këtë. Ne i kemi mjetet për të ekzekutuar. Niveli i duhur i grupit punues do të fillojë nesër të flasë për atë dhe çfarë mund të ndodhë nëse nuk arrijmë marrëveshje për zgjedhje të reja”, ka shtuar ai.

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe situata e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës ka qenë njëra ndër temat kryesore për të cilat kanë diskutuar ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në Strasburg të Francës.

Krerët e diplomacive të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë shqyrtojnë mënyrën se si të zgjidhin krizën gjithnjë e më të mprehtë në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, në mënyrë që t’i hapet rruga implementimit të pikave të Marrëveshjes së Brukselit (27 shkurt) dhe Aneksit të Ohrit (18 mars).

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ka raportuar para shefave të diplomacisë së shteteve evropiane për rezultatet e takimeve që pati të enjten për “menaxhimin e krizës” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel.

Borrell, së bashku me Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ishin mikpritës të këtyre takimeve mes dy liderëve. Por, ai nuk ka pasur edhe shumë gjëra për të thënë, ngase takimi nuk ishte edhe aq produktiv, duke pasur parasysh se palët kanë akoma qëndrime krejtësisht të ndryshme.

Kështu deklaroi vetë Borrell në konferencën për media pas takimeve të ndara që zhvilloi me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, të cilat në total zgjatën më shumë se katër orë. Por, ndonëse konsideroi se palët janë akoma larg njëra-tjetrës, ai ka dhënë “sinjale pozitive” në drejtim të qetësimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës.

“Në këtë kontekst, ne ramë dakord për nevojën e zgjedhjeve të reja dhe diskutuam në detaje modalitetet dhe hapat se si të arrijmë atje. Nuk janë ende aty, por të paktën ne dimë se si të vazhdojmë, dhe cilat janë alternativat dhe procedurat e ndryshme”, ka thënë ndër të tjera shefi i diplomacisë evropiane.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një prononcim para gazetarëve në Bruksel pas takimit me ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, ka thënë se është pajtuar në një farë mënyre për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Megjithatë, kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se “paqja e qëndrueshme” në veriun e vendit është ende e pasigurt, porse shtoi se, duke u nisur nga optimizmi i Borrellit dhe Lajçakut, ditët e ardhshme do jenë më të mira dhe më paqësore.

“Nuk mund të them që situata është e sigurt për shkak të disa takimeve bilaterale dhe të kemi një paqe të qëndrueshme, por nga optimizmi i ndërmjetësit, unë mund të them se ka shenja që ditët përpara do jenë më të mira se ato që i kemi lënë pas”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

E presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se ngjarjet që do të pasojnë në veri “nuk do të varen as nga Borrelli e as nga ne”, duke e lënë ekskluzivisht përgjegjëse Qeverinë e Kosovës dhe duke hequr barrën nga vetja, ndonëse dihet se ai është “urdhërdhënësi faktik” i fraksioneve të dhunshme në veriun e Kosovës.

“Ajo që do të ndodhë më pas nuk varet shumë as nga Borelli dhe as nga ne, por shumë më tepër nga ata që përpiqen të krijojnë trazira çdo ditë. Nuk shoh asnjë të keqe nga takimi, nëse ndodh diçka pozitive, mirë, nëse jo, çfarë duhet të bëjmë. Në jetë, nuk mund të ndikoni në gjithçka. Diçka mund të ndryshoni, diçka nuk mundeni”, tha ai.

Ndryshe, shpesh është thënë se negociatat kanë “normalizuar idenë e normalizimit”, por nuk kanë prodhuar një ujdi që do të normalizonte realisht marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi, raportet mes Kosovës dhe Serbisë kthehen në gjendje edhe më të keqe pas çdo takimi në Bruksel.

Kufijtë kohorë janë ngjeshur – sanksionet ndaj Kosovës në prag

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore