Kosova

Borell për situatën në Veri: Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, janë të papranueshme


Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borell

“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”.

Kështu e ka cilësuar aksionin e Policisë së Kosovës në Veri të vendit për mallra të kontrabanduar, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borell.

Sipas tij “incidentet e dhunshme” në Veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë.

“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar Borell në Twiter.

Në mëngjesin e së mërkurës në Veri të Mitrovicës, rreth orës 09:00 janë dëgjuar krisma në ajër, i është vënë flaka një veture, janë parë numër i madh policësh në rrugë e qytetarë më pas të grumbulluar duke sulmuar policinë.

Më pas është kuptuar se Policia e Kosovës ka filluar një aksion në gjithë Kosovën, përfshirë edhe komunat serbe në Veri, kundër kontrabandës me mallra.

Aksioni i Policisë së Kosovës ka hasur në rezistencë të serbëve lokal.

Ata kanë sulmuar edhe Njësinë Speciale pasi që këta të fundit dalin nga një barnatore në të cilën kishin hyrë për të konfiskuar mallrat e kontrabanduar.

Bazuar në njoftimin e PK-së, pas përfundimit të aksionit për kontrabandë janë arrestuar 8 persona dhe 6 të tjerë kanë pasur lëndime trupore, në mesin e tyre civil dhe zyrtarë policorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore