Lajme

Bombardimi i ‘Taksim-it’ hap rrugën për sulmin turk kundër kurdëve


Ky është ekzekutimi përfundimtar i një kërcënimi turk që kishte mbetur pezull që nga maji i kaluar.

Një javë pas sulmit në rrugën “Istiklal” në Stamboll, i cili la 6 të vdekur dhe 81 të plagosur, Turqia nisi një sulm ajror mbrëmjen e së shtunës duke u gdhirë e diela.

Kështu shkruan e përditshmja libaneze “L’Orient-Le jour”.

Sulmi u organizua kundër rajoneve kurde të Sirisë dhe Irakut verior në një operacion të quajtur “Swordclaw”.

“Ka ardhur ora e shpagimit! Tradhtarët do të mbajnë përgjegjësi për sulmet e tyre tradhtare”, shkroi ministri turk i Mbrojtjes në Twitter. “Në përputhje me të drejtat e vetëmbrojtjes sipas nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, me qëllim eliminimin e sulmeve terroriste në Irakun verior dhe Siri, garantimin e sigurisë kufitare dhe eliminimin e terrorizmit në burimin e tij”.

Bëhet fjalë për një operacion ushtarak të urdhëruar nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, pak para se të fluturonte për në Doha, ku u zhvillua ceremonia e hapjes së Kupës së Botës në Katar.

Ndarja e zonave kurde

Disa rajone nën kontrollin e Forcave Kurde Siriane (SDF) dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të konsideruara si entitete terroriste nga Ankaraja, u bombarduan nga më shumë se tridhjetë sulme ajrore.

Veçanërisht, provincat siriane të Raqqa-s dhe Hassaké-s (në veri-lindje ) dhe Aleppo-s (në veri), si dhe në qytetin e Kobané-s dhe rrethinat e tij, pranë kufirit turk.

Sulmet kishin në shënjestër në veçanti kapanone gruri dhe një stacion energjie në jug të kësaj krahine.

Nga ana irakiane, turqit shënjestruan “të paktën tetë zona”, i tha agjencisë franceze “AFP” një zyrtar nga Kurdistan-i i Irakut, veçanërisht rajonet malore midis Erbil-it dhe kufirit iranian.

“Operacioni ajror ‘Swordclaw’ u krye me sukses, në rajonet (…) që terroristët përdorin si baza gjatë sulmeve që synojnë vendin tonë”, mund të lexohet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes turke, duke u mburrur se ka neutralizuar “89 streha, duke përfshirë shpella, strehimore, kampe trajnimi dhe shumë terroristë”.

Numri i njerëzve rritet në më shumë se 31 të vdekur në radhët e forcave kurde dhe siriane sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH), një OJQ me bazë në Londër.

Sipas Soner Cagaptay, specialist i Turqisë në Institutin e Washington-it, strategjia e Ankarasë është “ekuivalenti politik i djathit zviceran”.

“Ajo konsiston në kryerjen e operacioneve ndërkufitare në Siri për të depërtuar në zonat e kontrolluara nga YPG-ja (Njësitë e Mbrojtjes së Popullit) në mënyrë që ato të bëhen një entitet jo i afërt i ndarë në copa.

Studiuesi shpjegon se shtresa e dytë e strategjisë konsiston në sulmin e PKK-së në degët e saj duke përdorur forcat ajrore”.

Heshtja e NATO-s

Që nga maji, ushtarët turq kanë qenë të pranishëm në zonat gjysmë autonome kurde në Siri, të kontrolluara nga luftëtarët e YPG-së, milicia e lidhur me PKK-në, si dhe aleatët e tyre të regjimit sirian.

Të ngacmuar nga dronët turq, ata jetojnë nën kërcënimin e një ofensive, pasi Ankaraja kishte deklaruar në maj se donte të krijonte një “zonë sigurie” prej 30 kilometrash në kufirin e saj jugor.

Shtatorin e kaluar, presidenti turk ripohoi se ushtria e tij ishte “gati në çdo kohë” për një ofensivë, e fundit daton nga mesi i shtatorit, kur sulmet turke lanë tre të vdekur në Sirinë veriore.

Një kërcënim i rigjallëruar nga shpërthimi në Stamboll më 13 nëntor, iu atribua nga autoritetet – luftëtarëve të PKK-së dhe aleatëve të tyre në Siri – të cilët kanë mohuar çdo përfshirje.

Një shtetrrethim u vendos në rajon në vitin 2019 pas një ndërhyrjeje të turqve kundër luftëtarëve kurdë me marrëveshjen e Washington-it, i cili megjithatë kishte udhëhequr një koalicion me forcat e PKK-së për të luftuar kundër Shtetit Islamik në Siri.

Rusia dhe Irani kishin marrë përsipër që të shmangnin një përshkallëzim, Moska dhe Teherani u paraqitën si ndërmjetës midis Turqisë dhe regjimit sirian.

Në një samit të mbajtur midis tre fuqive në korrik në Teheran, Rusia dhe Irani rinovuan refuzimin e tyre për t’i dhënë dritën jeshile ndërhyrjes turke, duke përmendur rrezikun e “destabilizimit” të rajonit.

Marrë dhe përshtatur nga “L’Orient-Le jour” për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore