Shqipëria

Bllokohet sërish rruga e Arbrit – Reshje të dendura bore në Shqipëri


Qarkullimi në rrugën e Arbrit është bllokuar sërish, pas përkeqësimit të kushteve atmosferike në veri të vendit, ku përgjatë gjithë natës ka pasur reshje të dendura bore dhe shiu në pjesë të caktuara të Shqipërisë.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia Rugore, segmenti më problemat është ai që lidh bypass-in me qafë Murrizin. Kontraktorët në këtë zonë po punojnë për hapjen sa më të shpejtë të rrugës dhe lejimin e qarkullimit.

I rekomanduar nga strukturat për kryerjen e lëvizjes nga Tirana në Dibër ose anasjelltas, është aksi Klos-Burrel-Ulëz. Qarkullimi në këtë segment është i rekomandueshëm me zinxhirë ose goma dimri.

E njëjta gjë ndodh edhe për rrugët Bulqizë-Peshkopi apo Bulqizë-Klos. Qarkullimi pa mjetet për rrugë dimërore është i palejuar.

Sa i përket akseve të tjera rrugore në vend, ato mbeten të kalueshëm, ku në disa zona kërkohet përdorimi i gomave dimërore apo zinxhirëve.

Fillimi i shkurtit është paralajmëruar të jetë ende i ftohtë, me temperatura të ulëta në gjithë vendin dhe reshje lokale bore e shiu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore