Shqipëria

Bllokohen 8 ‘Jet Ski’ me mungesë dokumentacioni në Shëngjin, gjoba pronarëve


Në Shëngjin, Njësia Policore Detare ka bllokuar tetë “Jet Ski” me mungesë dokumentacioni, teksa u ka vendosur gjoba prej 10 mijë lekësh të rinj pronarëve.

Njësia, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Shëngjin, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në hapësirën detare nga Shëngjini në Tale, për verifikimin e mjeteve lundruese.

Kjo, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.

Në vijën bregdetare dhe hapësirën detare të SPK Shëngjin, u kontrolluan 13 mjete lundruese dhe tetë prej tyre, mjete argëtuese “Jet Ski”, rezultuan me mungesë dokumentacioni në bord.

Kështu, u bë bllokimi administrativ i tetë mjeteve dhe pronarët e këtyre mjeteve lundruese u ndëshkuan secili me masën administrative 10 mijë lekë të rinj.

Policia e Shtetit apelon sërish për të gjithë operatorët ekonomikë që ofrojnë shërbimin e lundrimit, në hapësirat detare, liqenore dhe lumore, që të pajisen me dokumentacionin përkatës, konform ligjit, të mos cenojnë perimetrin ujor të sigurisë për pushuesit, si dhe të përmbushin kriteret për sigurinë e pasagjerëve, siç është pajisja e pasagjerëve me jelekë shpëtimi.

Po ashtu Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo indicie për paligjshmëri në këtë fushë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore