Biznes

Bllokada e transportuesve në Itali, në rrezik furnizimi me ushqim


Çka po ndodh është e krahasueshme me goditjen e naftës të vitit 1973 pas luftës mes Izraelit dhe Egjiptit.

Çmimi i karburantit pësoi një rritje të madhe në një kohë të shkurtër.

Kështu lindën politikat shtrënguese. Nga nevoja për të ngrirë konsumin, për të kursyer karburant, për të humbur më pak para.

Ngjashëm po ndodh edhe tani. Të paktën 70 mijë kamionë janë ndalur në të gjithë Italinë për shkak të një proteste spontane, e cila i ngjan një forme vetëmbrojtjeje pas mohimit të transportuesve.

Me nivelin aktual të çmimeve të karburantit është më mirë ta mbahet automjeti i palëvizshëm  se sa  të kryhet transportimi i mallrave drejt destinacioneve përkatëse.

Kostot nuk i mbulojnë shpenzimet.

Prandaj dhe situata në Sardenjë është ajo e një mobilizimi rajonal të shkëputur nga sindikatat dhe shoqatat.

Në Cagliari, drejtuesit e kamionëve janë gjendur përballë portit, por pa shkaktuar bllokime apo shqetësime serioze, me përjashtim të ngadalësimeve të trafikut në rrugët kryesore.

Transportuesit rrugor të ishullit kanë vendosur të vazhdojnë demonstratat pavarësisht anulimit të grevës kombëtare.

Në qendër të protestës ishte rritja e kostos së karburantit dhe për mirëmbajtjen e automjeteve. Një situatë e rënduar edhe nga rritja e kostos së transportit detar.

Përgjegjësi për tranzicionin ekologjik, Giovanni Acampora, ka treguar se po punohet në këtë drejtim dhe se ka akoma për t’u bërë.

“Dekreti i miratuar nga qeveria për të kundërshtuar rritjen e faturave të energjisë elektrike dhe gazit po ecën në drejtimin e duhur pasi synon të zbusë, për muajt e ardhshëm, një pjesë të rritjes së çmimeve të paralajmëruara për bizneset dhe konsumatorët”.

“Por vërtet që duhet të bëjmë më shumë”, ka shtuar ai.

Një paralajmërim ka ardhur nga kompania Coldiretti, e cila denoncon rritjen e çmimeve të benzinës dhe naftës.

“Jemi në një vend ku 85 për qind e mallrave transportohen për të arritur në rafte. Ndalimi i transportit rrugor mund të shkaktojë dëme të pallogaritshme në zinxhirin e furnizimit ushqimor, duke vënë në rrezik produkte si frutat dhe perimet, qumështi, mishi, peshku”, ka thënë kompania.

Po ashtu mund të nxisë njerëzit të zbrazin raftet e supermarketeve.

Për rritjen e kostove të energjisë, Coldiretti ka treguar se bujqësia duhet të paguajë një faturë shtesë prej të paktën tetë miliardë në bazë vjetore në krahasim me vitin e kaluar.

Kjo rrezikon të mbjellat, blegtorinë dhe industrinë e përpunimit, por edhe furnizimet ushqimore.

Nafta e shtrenjtë kërcënon të ndalojë traktorët në fshat, të mbyllë serat e luleve dhe perimeve dhe të bllokojë anijet e peshkimit në porte, duke rritur varësinë nga jashtë për importin e produkteve ushqimore.

 

Marrë nga “Corriere della Sera”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore