Shqipëria

Bllokada ballkanase ndaj integrimit të Ballkanit


Flamuri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut, me në sfond flamurin e Bashkimit Evropian

Ishte qershori i vitit 2018, kur Këshilli i Evropës mblodhi një takim të radhës të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare. Në atë kohë, një ndër përfundimet e mbledhjes, binte në sy:

“Integrimi dhe hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk janë lëvizje thelbësore për Bashkimin Evropian”.

Sot, nuk ka një vakum stanjativ apo strategjik të çështjes – ashtu si e cilësoi ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth, detyrimin e unionit ndaj shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, po bëhet një problem moral për BE-në”.

Kështu e kujton dhe argumenton situatën në të cilën Shqipëria ndodhet sot, ish-ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.

Në një postim në Twitter, disa orë përpara dhënies së vendimit përfundimtar, ai e cilëson pikërisht si “problem moral evropian”, këtë ngërç negociativ të krijuar.

Qershori intensiv i Shqipërisë, nuk e dha rezultatin e pritur. Shtatori dhe një presidencë sllovene këtë radhë, duhen pritur për të përshfaqur qasje të tjera.

Por, çfarë do të thotë ky vendim i BE-së për Shqipërinë?

Për analistin dhe studiuesin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Julian Zyla, të gjitha kushtet ishin qartësisht të përmbushura nga të dy shtetet. Por, vetoja, ndëshkoi edhe vendin, i cili nuk kishte veto mbi supe.

“Vendimi merret për të dy shtetet njëlloj. Këtë herë, kishte një rekomandim të qartë për t’i hapur negociatat me dy vendet. Mirëpo, zhvillimi i fundit i mos hapjes së negociatave, shkoi tërësisht ndesh me rekomandimet”.

Sakaq, gazetari i njohur, Ben Andoni, mendon se formula e këtij rrugëtimi dypalësh kombinuar me veton bullgare, ndikoi më shumë se sa mendohej në vendimmarrje.

“Bullgaria nuk pranoi thirrjet edhe pas apelit të gjatë ndërkombëtar”, shpjegon ai. “Është paradoks, sepse kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kaluan dhe morën miratimin nga vende realisht skeptike si Holanda dhe Danimarka, mbetën nga Bullgaria”.

Gjithsesi, është një realitet i formësuar brenda BE-së ky tashmë sipas Andonit. Formula, bën të mundur pasjen e barrierave të tilla. Barriera, të cilat mund të shkojnë përtej palës bullgare!

“Nuk është çudi, që në të ardhmen, grekët të na bëjnë ne të njëjtën gjë që bullgarët bënë me Maqedoninë e Veriut. Më duket e lodhshme dhe e tepruar nga shtete rishtare si Bullgaria, që të veprojnë në këtë mënyrë”.

Ku do të shkojnë sytë e Shqipërisë?

Pavarësisht vendimit, opinioni i dy analistëve, është i përbashkët në një pikë: Shqipëria ka qasje pro perëndimore dhe të dyja vendet, do të vijojnë të shpresojnë në Evropë.

“Anëtarësimi në BE është objektiv strategjik si i Shqipërisë, ashtu edhe i Maqedonisë së Veriut”, saktëson Zyla. “Të dy vendet do të vijojnë të shpresojnë në hapjen e negociatave. Kjo, nëpërmjet dialogut dhe zgjidhjes së ngërçit të krijuar”.

Andoni, shtjellon më tej se qasja shqiptare është aq pro perëndimit, sa që është përshtatur edhe i gjithë dokumentacioni i integrimit për këtë qëllim.

“I gjithë vokacioni i njerëzve dhe sondazheve e tregon qasjen pro perëndimit”.

Por, për të, është e habitshme që kjo lexohet ndryshe në perëndim. Madje, mund të ketë edhe rreziqe të mundshme.

“Nuk është habi që, në të ardhmen, të lindin forca jo-evropiane ose anti-integrim. Nuk mund të trokasësh përjetësisht në dyer që nuk dëgjojnë”.

Bllokada ballkanase ndaj Ballkanit

“Bashkimi Evropian e ka pranuar vetë se në Ballkan duhet qartësi”.

Është ky qëndrimi i Zylës, kur pyetet mbi çfarë BE-ja duhet të bëjë, për të rikthyer besimin e Ballkanit ndaj unionit.

Më së shumti, faktet për të, lidhen me çështjen e një vendimmarrjeje me shumicë votash, duke eliminuar kështu veto të mundshme.

Por, Andoni, mendon se nga BE-ja, ka pasur mungesë të sinqeritetit.

“Nuk kishte pse të investohej aq shumë nëse vetoja do të bëhej e qartë”, shpjegon ai mbi vizitat e zhvilluara nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë javës pararendëse të marrjes së vendimit në qershor.

“Duket se vizitat ishin fare boshe dhe për kortezi. Kjo, sepse qeveria bullgare nuk e kishte precizuar qëndrimin e saj”.

Pikërisht, Bullgaria, u kthye kështu në bllokuesen e drejtpërdrejtë të çeljes së negociatave midis unionit dhe dy vendeve të Ballkanit.

Një qëndrim i luftuar – të paktën publikisht – deri në minutën e fundit përpara konferencës. Por, një luftë e pamjaftueshme.

Portugalia e largët në vendodhjen fizike evropiane, më 1 korrik do t’i lërë presidencën, një vendi gjeografikisht më të afërt – ballkanik kësaj radhe – Sllovenisë.

Një vend, i cili ka marrë zotimin e zgjidhjes së dialogut bullgaro-maqedonas, ende pa marrë në dorë frenat e lojës.

Bllokada ballkanike, është ajo që duhet zhbllokuar, për t’i shtruar rrugën dy rajonalëve, drejt një kozmopoliti të ri.

Bullgaria (jo)ballkanase, ka në duart e saj, fatin e negociatave ballkanase me Evropën.

Në shtator, pyetja do të shtrohet sërish: A do të hiqet barrikada bullgare, për hir të integrimit të pretenduar si të domosdoshëm, rajonal?

Një fat evropian ballkanik, i vendosur – ndoshta edhe paradoksalisht, si asnjëherë më parë – brenda Ballkanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore