Lajme

Blinken: NATO-ja është më e rëndësishme se kurrë, ne kemi shumë punë në Ballkanin Perëndimor


Antony Blinken dhe Jens Stoltenberg

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka konfirmuar se në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s këtë të martë dhe të mërkurën (28 dhe 29 nëntor) në Bruksel të Belgjikës, një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe rrjedhës së ngjarjeve të fundit në Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet, sidomos mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kryediplomati amerikan ka thënë se NATO-ja është më e rëndësishme se kurrë më parë, posaçërisht në mes të krizave globale, ndërsa ka shtuar se do të kenë shumë punë gjatë këtyre ditëve, posaçërisht sa i përket sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

“Ne kemi shumë punë që do të bëjmë, siç thatë edhe ju, në Ballkanin Perëndimor, bashkë me partnerët tanë të NATO-s nga e gjithë bota, duke përfshirë Azinë dhe Paqësorin, dhe sigurisht që do të flasim për krizën në Gaza dhe më gjerë në Lindjen e Mesme”, ka deklaruar shefi i Departamentit amerikan të Shtetit të martën nga selia e NATO-s në Bruksel.

E shefi i NATO-s nga ana tjetër ka theksuar se është parë dhunë serioze në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke iu referuar sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ndërsa ka shtuar se do të ekzaminohet edhe rritja e qëndrueshme e trupave paqeruajtëse në kuadër të KFOR-it, përkundër rritjes së numrit të kontigjentit të misionit prej 1 mijë trupash.

“Ajo që kemi parë në Ballkanin Perëndimor është se tensionet po ngriten. Ne kemi parë tensione të shtuara dhe retorikë nxitëse në Bosnje-Hercegovinë. Ne kemi parë dhunë serioze në Kosovë, përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s dhe incidentin në Banjë. Ne duhet të qëndrojmë të fokusuar. NATO-ja do të bëjë atë që është e nevojshme për të siguruar stabilitetin”.

Situata e rënduar e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nën dritën e kërcënimeve ruse dhe rrjedha e tensionuar në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të jenë ndër temat kryesore të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s këtë të martë në kryeqendren politike të bashkësisë së organizuar perëndimore.

Krerët e diplomacive të 31 shteteve anëtare të NATO-s do të shqyrtojnë mënyrën se si të zgjidhin krizën gjithnjë e më të mprehtë në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe t’i hapet rrugë procesit të normalizimit të marrëdhënieve, pa përjashtuar diskutimet mbi agresionin rus kundër Ukrainës dhe konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës në Lindjen e Mesme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore