Lajme

Blinken i shkruan Kurtit: Marrëveshja me Serbinë e përqendruar në njohjen e ndërsjellë, thelbësore për Kosovën


Duke e “përgëzuar atë dhe popullin e Kosovës për zgjedhjet e suksesshme dhe demokratike të mbajtura më 14 shkurt”, fillon letra e Skeretarit Amerikan të shtetit, Antony J. Blinken, drejtuar Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit.

Në këtë letër ai ka shkruar se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur formimin e qeverisë së re dhe se presin të punojnë ngushtë për të siguruar, siç ka thënë ai, që Kosova sovrane, e pavarur, shumë-etnike dhe demokratike të zë vendin e saj si partner i barabartë në familjen euro-atlantike”.

Sekretari Blinken i ka mirëpritur zotimet e kryeministrit Kurti për luftimin e korrupsionit, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe rikuperimin nga pandemia COVID-19, si edhe përpjekjet e tij për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës.

Antony Blinken, në letër ka thënë se “sigurimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë është thelbësore për Kosovën që të arrijë potencialin e saj të plotë dhe të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE”.

Letra e Sekretarit Blinken për Kryeministrin Kurti përmbyllet me shprehjen e mbështetjes së plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore