Vende

Bjeshkët e Oroshit, vendi i duhur për aventurierët


Oroshi, pjesë e rrethit të Mirditës, është listuar në 100 fshatrat me prioritet zhvillimin e tij dhe të turizmit gjithëvjetor në atë zonë. Ai ndodhet në lindje të qytetit të Rrëshenit.

Është një zonë malore mjaft atraktive me shumë mundësi për zhvillimin e agroturizmit dhe turizmit malor.

Po ashtu, Oroshi është një vend i rëndësishëm historik.

Zona më interesante është Nënshejti, me burime uji dhe Fushat e Lugjeve me mundësi për turizmin malor.

Në shek. XV ky vend ka qenë një nga qendrat më të rëndësishme të rezistencës anti – osmane. Njëkohësisht, po në Orosh, ka nisur bërthama e krijimit të krahinës së Mirditës.

Edhe në këtë zonë, nuk mungojnë objektet e trashëgimisë kulturore dhe të kultit. Ndër të tjera ka një histori të pasur bëmash dhe ngjarjesh.

Përveç Nënshejtit e Lajthizës, janë edhe fshatrat Ndërshenë, Shëngjin e Lari, që mundësojnë turizmin familjar.

Por turizmi familjar për këtë zonë mbetet ende një praktikë e re. Ndaj kërkohet më shumë investime për ta kthyer edhe në një mjedis tërheqës për turistët.

Kjo zonë nuk ka vetëm natyrën e bukur, por edhe një histori qindravjeçare. Edhe pylli, edhe guri, edhe majat e maleve e kanë një histori. Për këtë flasin qartë edhe toponimet e shumta, që ka në këtë zonë.

Në Orosh gjendet dhe një shpellë tepër e veçantë, “Shpella e Pashës” në Bjeshkët e Oroshit. Janë bërë disa punime për ta bërë të aksesueshme për vizitorët.

Por në fakt, që ky atraksion turistik të bëhet i prekshëm, kërkohet një vëmendje më e madhe në drejtim të infrastrukturës rrugore.

Ajo është e vjetëruar dhe tepër e konsumuar, gjë që e bën të vështirë turizmin në këtë zonë mbresëlënëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore