Aplikacione

Biznesi i reklamave të Google-it, nën hetim nga mbikëqyrësi i BE-së


Kompania teknologjike, Google mund të përballet me rregullatorët e antitrustit të Bashkimit Evropian të vendosur të hapin një hetim zyrtar në biznesin e tij fitimprurës të reklamave digjitale para fundit të vitit.

Agjencia e lajmeve, Reuters, e cila mban ekskluzivitetin e lajmit, tregon se kjo lëvizje e rregullatorit do të shënonte një front të ri nga zbatuesi i konkurrencës në BE kundër Google-it.

Në dekadën e fundit, autoriteti ka gjobitur kompaninë me më shumë se 8 miliardë euro (9.8 miliardë dollarë) për bllokimin e rivalëve në blerjet në internet, smartphone-ët Android dhe reklamat në internet.

Një nga burimet ka thënë për Reuters se hetimi i BE-së do të përqendrohet në pozicionin e Google-it ndaj reklamuesve, botuesve, ndërmjetësve dhe rivalëve, duke ndërmarrë një shqyrtim më të thellë sesa çështja e agjencisë franceze të antitrustit që është përfunduar javën e kaluar.

Gjatë vitit të kaluar, Google-i ka arritur 147 miliardë dollarë të ardhura nga reklamat në internet, më shumë se çdo kompani tjetër në botë. Reklamat e shfaqura në platformat e tij, përfshirë kërkimin, YouTube-in dhe Gmail-in, përbënin pjesën më të madhe të shitjeve dhe fitimeve.

Reuters shkruan se thuajse 16 për qind e të ardhurave erdhën nga afishimi i tij ose biznesi i rrjetit, në të cilin kompani të tjera mediatike përdorin teknologjinë e Google-it për të shitur reklama në faqen e tyre të internetit dhe aplikacionet.

Edhe Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, paditi Google-in vitin e kaluar për abuzimin e dominimit të tij në reklamat e kërkimit. Të udhëhequra nga Texas-i, një grup shtetesh në një proces gjyqësor të mëvonshëm u përqendruan në sjelljen antikonkurruese.

Franca gjatë javës së kaluar, caktoi për Google-in 268 milionë dollarë dhe angazhime të ndryshme për akuza të ngjashme në lidhje me biznesin e rrjetit. Gjithashtu njësia duhet të punojë ngushtë me rregullatorin e konkurrencës së Britanisë për ndryshimet e ardhshme të software-it si pjesë e një zgjidhjeje të arritur ditë më vonë.

Sipas Reuters, hetimi i ri i BE-së mund të përfundojë duke synuar të gjithë “perandorinë e reklamave” të Google-it.

Një nga studiuesit e tregut i quajtur eMarketer, pret që këtë vit Google-i të kontrollojë 27 për qind të shpenzimeve globale të reklamave në internet, përfshirë 57 për qind për reklama kërkimi dhe 10 për qind për ato të shfaqjes.

Edhe pse në pamje të parë shifrat mund të mos duken monopolistike, reklamuesit dhe rivalët pretendojnë se software-i i ndryshëm i Google-it luan një rol në shumë aspekte të tregut aq sa kompania është e pamundur të shmanget.

Rivalët pretendojnë se kompania teknologjike përfiton nga varësia e blerësve, shitësve dhe ndërmjetësve për të nxjerrë tarifa më të larta nga të gjitha palët dhe për të bllokuar ata që të konkurrojnë me të.

Mbikëqyrësi i BE-së, në një pyetësor dërguar rivalëve të Google-it dhe palëve të treta gjatë këtij viti, pyeti nëse reklamuesit merrnin zbritje kur përdorin ndërmjetësuesit e Google-it, të cilët lejojnë reklamuesit ose agjencitë e medias të blejnë inventarin e reklamave nga shumë burime.

Thomas Hoppner, një partner në firmën ligjore Hausfeld, i cili këshillon disa ankues kundër Google-it, ka thënë se komisioni duhet të përfundojë çështjet në vazhdim përpara se të fillojë me raste të reja.

“Nga këndvështrimi i praktikuesit dhe nga këndvështrimi i industrisë, duket po aq e rëndësishme për të çuar deri në fund hetimet në kërkimin lokal dhe kërkimin e punës në Google kur autoritetet e tjera kanë hapur hetime në teknologjinë e reklamave të Google-it”, ka pohuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore