Shqipëria

Biznes pa emër s’ka


Një emër duhet.

Por gjetja nganjëherë mjaftohet me një çast e të tjera herë me net pa gjumë.

Të jetë ky vallë? Apo ky tjetri? Apo asnjë prej tyre?

Këto janë dilemat që e mundojnë të ngarkuarin me detyrën jo të lehtë të gjetjes së emrit të biznesit.

Se, përpos emrit, duhet edhe identiteti.

Një histori, një rrugëzgjidhje

“Historia nis kështu: Unë jam një nga ortaket. Në vitin 2014, po kërkoja të hapja një agjenci marketingu sepse nuk po gjeja punë tjetër që të mund të më përshtatej.

Pasi isha bërë nënë dy herë dhe të dyja herët i humba punët, nisa të kërkoja fillimisht për domain-in. Po kërkoja një emër fruti.

E nisa kërkimin nga domain-i sepse biznesi filloi nga faqja e web-it.

Domain-i i lirë që gjeta, ishte manderina.com dhe kështu e bleva atë.

Parapëlqeva një emër fruti se tingëllon bukur në marketing.

Pasi sigurova domain-in me emrin e frutit, i shtova atij edhe Promotions për ta bërë më të qartë atë që ofronte biznesi”.

Ky është rrëfimi i Alma Gërxhanit, një prej ortakeve të një agjencie marketingu që operon në vendin tonë të quajtur Manderina Promotions.

Ajo ka treguar për Albanian Post se gjetja dhe përzgjedhja e emrit të biznesit është tejet me rëndësi.

“Të gjithë e mbajnë mend dhe e kujtojnë një emër të bukur. Në Shqipëri nuk ka patur ndonjë traditë për emrat. Zakonisht, realizohen bashkime emrash apo vendosen emrat e fëmijëve dhe më pas këto përzgjedhje duan punë për t’u njohur nga publiku”, dallon Gërxhani.

Ndërkohë, për Kosovën, realiteti është disi më ndryshe.

“Në Kosovë ka zgjedhje më të mira emrash. Janë autentike dhe të bukura”, ka veçuar ajo.

Megjithatë, Gërxhani vë në dukje se bizneseve u lind nevoja për të gjetur emra me kuptim, emra që kanë lidhje me punën që bëjnë, por gjithashtu edhe me vendin ku janë të vendosur.

Për sa i përket përzgjedhjes që vetë ajo ka bërë, ka treguar se është pritur goxha mirë dhe se shpesh ju ndodh të hasen me situata që audienca ka mbajtur mend më shumë emrin e biznesit se sa atë çka ofron ky biznes.

Gërxhani nuk ka lënë jashtë vëmendjes as rolin e simbolit apo ndryshe logos.

“Edhe logoja është goditëse. Besoj se logoja dhe emri i shtojnë vlerë biznesit”, ka përmbyllur ajo.

Emri, identiteti i biznesit

Ndërkohë, Alejdis Abdija, copywriter tek Arketing.al, ka treguar për Albanian Post se kujdesi ndaj përzgjedhjes së emrit të biznesit është i një rëndësie të veçantë, pasi rezulton të jetë kontakti i parë që klientët kanë me biznesin apo produktin që ofrohet për t’u shitur.

“Ka shumë emra biznesesh që janë në gjendje të përcjellin emocione të caktuara te audienca, por nuk është i hekurt që emri duhet me doemos të përfaqësojë tonin e kompanisë që në kontaktin e parë. Kjo e fundit arrihet nëpërmjet rrëfimit të historisë (storytelling)”, dallon ai.

Këtë ai e sheh si pikën ndërlidhëse mes klientëve dhe vetë biznesit.

“Rrëfimi i historisë është ajo çfarë i humanizon bizneset, ajo që e lidh biznesin me klientët e vet”, ka ravijëzuar Abdija.

Për ta qartësuar këtë, merr edhe një shembull praktik të një marke tepër të njohur globalisht.

“Ja Nike… emri nuk na jep asnjë gjurmë se për çfarë bën fjalë kompania, por të gjithë e dimë se kush është ajo”, ka thënë ai.

Abdija ka dalluar se “edhe pse emri në vetvete nuk përcjell ndonjë emocion të qartë, storytelling i përdorur nga skuadra e tyre marketuese ka arritur që ta sensibilizojë markën jo vetëm me sportistë, por edhe me njerëz të thjeshtë, ata me aftësi ndryshe, minoritete, lëvizje bamirëse apo fondacione të ndryshme”.

Për të, kjo është pikërisht ajo që e ka kthyer kompaninë në lider të industrisë së veshjeve dhe aksesorëve sportivë.

“E thënë ndryshe, një emër të mirë e bën aftësia e të mbeturit në mendjen e dikujt”, ka përmbyllur Abdija, duke mos e anashkaluar ndikimin e aspektit informues.

Megjithatë, diferenca i mbetet në dorë rolit identifikues të emrit, mundësia që klienti ta identifikojë menjëherë emrin me kompaninë që e mban atë.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore