Financa

Bitcoin vijon marshimin, arrin vlerën 58.000 dollarë


Bitcoin ka marrë vëmendje të shtuar që me arritjen e vlerës rekord prej 50.000 dollarësh. Që nga ai moment, vlera e kriptovalutës ka njohur rritje të qëndrueshme duke kaluar ditën e sotme (22 shkurt) vlerën gjithashtu rekord prej 58.000 dollarësh.

Bitcoin e nisi vitin në 28.900 dollarë duke arritur në më pak se dy muaj rritje me 90%.

Kompani të mëdha e përcaktuese të trendeve globale, kanë nxitur këtë rritje të paprecedentë dhe kanë forcuar qëndrueshmërinë. Tesla në krye, ka blerë Bitcoin në vlerën 1.5 miliardë dollarë dhe ka pranuar zyrtarisht pagesa në kriptomonedhë për makinat që prodhon vetë. Kështu edhe formalisht ata e kanë integruar këtë formë pagesash me valutat tradicionale.

Elemente të konsolidimit të monedhës në treg vijnë edhe prej kompanive të tjera. Mastercard, ka shfaqur planet për të pranuar pagesa me Bitcoin. Ndërsa BlackRock është duke shqyrtuar aktivisht mundësitë për përdorimin e monedhave digjitale.

Megjithatë, ka akoma mes atyre që hezitojnë të përdorin kriptomonedhën në transaksionet e tyre financiare. Më të zëshmit prej tyre, drejtuesit e fondeve të mëdha të investimeve, u druhen paqëndrueshmërisë që ka shfaqur Bitcoin në të shkuarën e afërt.

Në fakt, pavarësisht performancës impresionuese, Bitcoin ka shënuar luhatje të mprehta në muajin e fundit. Përpara se të arrinte në vlerën e vet maksimale, ajo ka pësuar respektivisht një rritje dhe një zbritje prej rreth 10.000 dollarësh. 

Kritikë të monedhave digjitale i mëshojnë problematikave që ato shfaqin në terma të prakticitetit dhe spekulimeve në tregje. “Vetëm se Elon Musk po e blen [Bitcoin-in], kjo nuk do të thotë se duhet ta ndjekim të gjithë nga pas” ka postuar në Twitter ekonomisti Nouriel Roubini.

Entuziazmi i krijuar së fundmi për monedhat digjitale ka shtyrë shumë njerëz ta shohin si mundësi investimi. Mirëpo ekspertët tërheqin vëmendjen tek shkundjet e shpeshta që pëson monedha. Për investitorët e vegjël, Bitcoin është akoma një kafshatë e madhe për t’u kapërdirë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore