Kosova

Bislimi takon të Dërguarin e Norvegjisë për Ballkanin, flasin për situatën në vend


Besnik Bislimi dhe Haakon Blankenborg

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar të mërkurën me Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg, me të cilin ka biseduar mbi situatën aktuale në vend.

“Palët diskutuan mbi situatën aktuale në vend, ku zëvendëskryeministri Bislimi e njohu Blankenborg me punën e Qeverisë në kontekst të zhvillimit të vendit në rrafshin ekonomik, duke veçuar dhe të dhënat më të fundit që tregojnë për ulje të papunësisë në tremujorin e fundit të vitit 2023, nga 11.8% sa ishte në të njëjtën periudhë të vitit paraprak, në 10.7%”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Zëvendëskryeministri ka pretenduar se “këto rezultate të arritura në rritjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik në tërësi, në tri vitet e fundit, janë histori suksesi e shtetit tonë dhe projektim premtues për të ardhmen e vendit, dëshmuar dhe nga rankimet pozitive në indekset ndërkombëtare”.

Bëhet me dije, se është biseduar edhe për zhvillimet në rajon e procesin e dialogut, pa dhënë detaje shtesë.

Në fund, Bislimi e ka falënderuar diplomatin norvegjez për bisedën e zhvilluar dhe takimin e frytshëm e produktiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore