Bislimi sërish kërkon heqjen e masave ndëshkuese nga BE-ja

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në takimin e së mërkurës me ambasadorin e Finlandës, Matti Nissinen, ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu, është diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
SHFLETO

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ambasadori i Finlandës, Matt Nissinen.

 

Altina Marmullaku
02.10.2024 16:22
Loading Icons...

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka kërkuar nga ambasadori i Finlandës, Matti Nissinen, heqjen e masave ndëshkuese nga ana e Bashkimit Evropian, duke i vlerësuar ato si të padrejta.

“Zëvendëskryeministri trajtoi dhe nevojën e heqjes sa më parë të masave ndëshkuese nga ana e Bashkimit Evropian, të cilat mbeten të padrejta. Ai e informoi ambasadorin edhe mbi zhvillimet e fundit dhe procesin e dialogut”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në takimin e së mërkurës është diskutuar edhe për aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Palët biseduan rreth procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe synimet e objektivat e vendit tonë në rrugën përpara. Zëvendëskryeministri theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian mbetet prioritet dhe se nevojiten hapa konkretë tutje në trajtimin e aplikimit dhe marrjen e pyetësorit”.

Bislimi theksoi se Kosova ka qenë vendi i parë që ka përmbushur hapat e kërkuar e të nevojshëm si dorëzimi i agjendës së reformave për procesin e zgjerimit dhe Planin e Rritjes.

Më 22 shtator, ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka thënë se masat ndëshkuese kundër Kosovës të vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) më shumë se një vit më parë mund të hiqen këtë vjeshtë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka rekomanduar largimin e masave ndëshkuese kundër Kosovës muaj më parë, por shtetet anëtare akoma nuk kanë vepruan në bazë të raportit.

BE-ja ka paralajmëruar më herët se veprimet e fundit të qeverisë mund të ndikojnë negativisht në mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës.