Lajme

Bislimi: Përballemi me përpjekje destabilizuese që regjisorin e kanë në Rusi, e akterët janë nga rajoni


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Integrim Evropian, ka deklaruar se shtetet e rajonit kanë nevojë të bashkëpunojnë përballë përpjekjeve destabilizuese të dirigjuara nga Rusia.

Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet, duke theksuar se vlerat demokratike janë orientim strategjik.

“Rajoni ynë po përballet me tentativa destabilizuese që me shumë gjasë regjisorin e ka në Rusi por akterët janë nga vet rajoni. Pozita e Kosovës në rajon nuk ndërlidhet vetëm me interesin kombëtar por edhe me kontributin që mund të japim në siguri”, ka thënë Bislimi.

“Ne e mbështesim planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Evropian duhet të reformohet dhe zgjerohet. Nuk duhet të ketë përfitues të fondeve pa i përqafuar vlerat e BE-së”, ka thënë ai.

Ndërsa, ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në përmbushjen e kritereve të BE-së.

“Angazhim i ynë për përmbushjen e kritereve që janë vendosur nga BE-ja është i palëkundur. Ne duhet t’i shohim këto kritere si udhërrëfyes. Rrugëtimi ynë drejt BE është një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë sonë për t’ju bashkuar BE-së”.

Kosova, më 24 shtator u përball me sulme terroriste nga Serbia në pjesën veriore konkretisht në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, tashmë i shpallur hero nga institucionet.

Pas këtij rasti u sekuestrua arsenal i armëve, të cilat kishin hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore